Telegrafi

“Kam lindur në Athinë, por jam shqiptar” – Mitaj jep intervistë për medium rus dhe flet me krenari për ngjyrat kuqezi

Mario Mitaj po shkëlqen me Shqipërinë dhe është pranë një transferimi të madh, pasi 20-vjeçari i Lokomotivës së Moskës, mund të transferohet te Juventusi së shpejti.

Mitaj së fundi ka dhënë një intervistë për gazetën ruse, Sport24.

Nga gazetari rus, ai është pyetur për nacionalitetin e tij, pasi është i lindur në Athinë dhe luan për Shqipërinë. “Shqiptar”, është përgjigjur Mitaj.

“Fakti që kam lindur në Athinë nuk më bën grek. Kam shumë shokë atje, flas greqisht dhe e dua këtë vend për mundësitë që ofroi për mua dhe familjen time”.

“Por e dua vendin tim Shqipërinë më shumë. Jam patriot i atdheut tim. Kur e shoh flamurin shqiptar dhe komunikoj me bashkëvendësit e mi, unë mbushem me një ndjenjë krenarie”, ka thënë Mitaj.

Ai ishte transferuar në klubin rus nga AEK-u i Athinës në vitin 2022.

Tashmë i ka dhjetë ndeshje për Shqipërinë, ndërsa po shkëlqen vazhdimisht dhe shihet si një nga lojtarët kryesor që do t’i përfaqësojnë kuqezinjtë në Euro 2024. /Telegrafi/