Site icon Telegrafi

Kaloi gjashtë muaj në robërinë ruse, ndërron jetë luftëtari i Regjimentit Azov dhe mbrojtësi i Mariupolit, Oleh Mudrak

Oleh Mudrak, komandanti i Batalionit të Parë të Regjimentit Azov, i cili ishte kthyer nga robëria ruse në shtator të vitit 2022, ka ndërruar jetë.

Oleh Mudrak kishte kaluar gjashtë muaj në robërinë ruse dhe i mbijetoi sulmit terrorist rus në kampin e të burgosurve të luftës Olenivka, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai ishte komandant i Batalionit të Parë të Regjimentit Azov.

Mudrak mbrojti Mariupolin dhe fabrikën e çelikut Azovstal pasi filloi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.

Oleh Mudrak u kap rob lufte nga Rusia pasi forcat ukrainase ishin larguar nga Azovstal. Në shtator, ai u kthye në Ukrainë si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve.

Lidhur me vdekjen e tij, një postim e ka bërë edhe këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.

“Oleh Mudrak, komandanti i Batalionit 1 të Azov, mbrojti Azovstal. Pastaj ai kaloi 6 muaj robëri ruse. Sot zemra e tij pushoi së rrahuri. Nipi i tij shkroi: ‘Oleh ndriçoi zemrat e të gjithëve rreth tij’. RIP, Hero…”, ka shkruar Gerashchenko, duke publikuar edhe dy fotografi të cilat sipas tij tregojnë Mudra, para dhe në robërinë ruse. /Telegrafi/

Exit mobile version