Telegrafi

Kalimi i Hamiltonit te Ferrari krahasohet me atë të Cristiano Ronaldos te Juventus

Lewis Hamilton do t’i bashkohet Ferrarit vitin e ardhshëm dhe kalimi i tij në Maranello është krahasuar nga mediat italiane me transferimin e Cristiano Ronaldos te Juventusi në vitin 2018.

Il Corriere della Sera raportoi sot (e enjte) se Hamilton do t’i bashkohej Ferrarit në vitin 2025 dhe Sky Sports UK konfirmoi se një deklaratë zyrtare pritet më vonë.

Është padyshim lajmi më i madh sportiv në Itali pavarësisht thashethemeve dhe marrëveshjeve të shumta të transferimeve futbollistike të përfunduara në ditën e fundit.

Lexo po ashtu Lewis Hamilton do të largohet nga Mercedes dhe do t'i bashkohet Ferrarit në Formula 1

Duke folur për kalimin e Hamiltonit te Ferrari vitin e ardhshëm, eksperti i transferimeve të Sky Sport Italia, Gianluca Di Marzio, bëri një krahasim me transferimin e Ronaldos nga Real Madridi te Juventusi në vitin 2018.

“Në futboll, ne kemi luftuar pak për të bindur lojtarët kryesorë që të kalojnë në Serie A në vend të Ligës Premier apo Bundesligës pas Cristiano Ronaldos dhe shpresoj që në të ardhmen, një kampion i kalibrit të Hamiltonit do të arrijë në Serie A”, tha gazetari italian.

Është gjithashtu një lloj marrëveshjeje e ngjashme pasi Exor është kompania pronare e Juventusit dhe Ferrarit dhe, siç theksohet nga Il Corriere della Sera, Hamilton do t’i sjellë Ferrarit “cilësi, njohuri dhe prestigj, si dhe karizmën e një ylli që është i njohur përtej botës së motorsportit, duke rritur vlerën e markës”. /Telegrafi/