Telegrafi

Kalimet e lumenjve ka të ngjarë të jenë ‘faktorët kryesorë përcaktues’ në luftën në Ukrainë, thotë Ministria e Mbrojtjes e Britanisë

Ministria britanike e mbrojtjes ka dhënë përditësimin e saj të radhës rreth situatës në terren në Ukrainë teksa lufta me Rusinë vazhdon.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se beteja rreth qytetit lindor të Severodonetsk ka “vazhduar të bëhet më e ashpër” gjatë fundjavës – me raporte për dy ura të shkatërruara.

“Gjatë muajve të ardhshëm, operacionet e kalimit të lumenjve ka të ngjarë të jenë ndër faktorët më të rëndësishëm përcaktues në rrjedhën e luftës”, është thënë aty.

Aktualisht, “seksioni qendror” i vijës së frontit të Rusisë në Donbas “shtrihet në perëndim të lumit Siverskyy Donets”.

“Për të arritur sukses në fazën aktuale operacionale të ofensivës së saj në Donbas, Rusisë ose do t’i duhet të kryejë veprime ambicioze anësore, ose të kryejë kalime sulmuese përmes lumenjve”. /Telegrafi/