Telegrafi

Kalendari i Tyson Furyt për vitin 2020: Boksieri pritet t’i ketë tri përballje të vështira

Tyson Fury (Foto: Ethan Miller/Getty Images/Guliver)

Viti 2020 duket se do të jetë shumë i ngjeshur për Tyson Furyn, pasi mund të përballet me tre kundërshtar.

Tashmë është bërë e ditur se boksieri anglez do të ketë rimeçin me Deontay Wilderin për titullin WBC  në fillim të vitit të ardhshëm, pas barazimit kontrovers në dhjetor të vitit të kaluar.

Gypsy King ka publikuar një video duke thënë se do ta nokautojë amerikanin më 22 shkurt të vitit 2020 dhe do t’i shkaktojë humbjen e parë.

Tyson Fury dhe Deontay Wilder (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Por, kjo pritet të mos jetë lufta e fundit e Furyt për vitin e ardhshëm, pasi në kalendarin e tij mund të jenë edhe dy të tjera.

Anglezi mund të përballet edhe me bashkëkombësin e tij, Anthony Joshuas që do të ripërballet po ashtu me Andy Ruizin që i shkaktoi humbjen e parë dhe i mori tre titujt e kampionit të botës.

Për ta organizuar këtë përballje, Fury duhet të takohet me ish-kampionin e botës dhe me të dy promoterët, Frank Warren dhe Eddie Hearn.

Një tjetër përballje për të do të ishte edhe ajo kundër Daniel Dubois, që është vetëm 22-vjeçar dhe thuhet se e ka nokautuar Joshuan në sparring.

Dubois deri më tani ka nokautuar 12 nga 13 kundërshtarët që është përballur dhe po shikon që në një të ardhme të afërt t’i rivalizojë kampionët e botës në peshat e rënda. /Telegrafi/