Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov ka thënë të hënën se 3000 luftëtarë të tjerë të tij ishin gati të shkonin për të luftuar në Ukrainë si pjesë e njësive të reja të ministrisë ruse të mbrojtjes dhe forcave të Gardës Kombëtare Ruse.
Për Kadyrov, që ndonjëherë ka qenë një kritik i zëshëm i performancës së Rusisë në konflikt, lufta në Ukrainë është një mburojë kundër agresionit perëndimor.
“Ata (luftëtarët) kanë pajisjet më të mira dhe armët moderne”, citohet të ketë thënë Kadyrov në aplikacionin e mesazheve Telegram.
“Përveç kësaj, djemtë janë shumë luftarak dhe shumë të motivuar për të arritur rezultate”.
Në maj, Kadyrov tha se Çeçenia, e cila është një republikë federale e Rusisë, kishte dërguar më shumë se 26,000 luftëtarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 12,000 vullnetarë dhe se në atë kohë 7,000 prej tyre po luftonin në mënyrë aktive.
Megjithatë, pretendimet e Kadyrov nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur dhe vlerësimet e luftëtarëve çeçenë të dislokuar në Ukrainë ndryshojnë.
Ka pasur gjithashtu disa formacione të armatosura çeçene që luftojnë në anën e Ukrainës në luftën që filloi me agresionin e plotë të Rusisë në Ukrainë, 21 muaj më parë.
Ndërkohë më herët në nëntor, Kadyrov tha se një grup i madh i ish mercenarëve rusë të Wagner, të cilët kishin luajtur një rol të rëndësishëm në disa nga luftimet më të ashpra në Ukrainë përpara se grupi i tyre të rebelohej kundër institucionit të mbrojtjes ruse, kishte filluar gjithashtu stërvitjen me forcat speciale nga Çeçenia. /Telegrafi/