Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov ka kërkuar prej SHBA-ve heqjen e sanksioneve ndaj familjes së tij në këmbim të të burgosurve ukrainas.
Ai ia dorëzoi listën e të burgosurve ish-oficerit të inteligjencës amerikane Scott Ritter, i cili arriti një ditë më parë në Grozny.
“Kam një ofertë interesante për mysafirin tonë. Kemi të burgosur që i kemi marrë nga Donetsku, Luhansku. Po ia jap (listën) mysafirit tonë… Nëse ata heqin sanksionet ndaj nënës sime, vajzave të mia dhe njerëzve të pafajshëm, kuajve. Përveç meje… atëherë ne do t’i dorëzojmë ata njerëz”, tha Kadyrov.
Gjithashtu u shfaq një video-mesazh i të burgosurve, të cilët kërkuan heqjen e “sanksioneve absurde që nuk prekin asgjë” kundër të afërmve të Kadyrovit, kuajve dhe aeroplanit të tij.
“Nëse i plotësoni këto kushte, 20 ushtarë ukrainas do të kthehen në shtëpitë e tyre”, thotë njëri prej tyre në video.
Ndryshe, Kadyrov është futur në listën e të sanksionuarve të amerikanëve pasi ai po e ndihmon Vladimir Putinin në pushtimin rus të Ukrainës. /Telegrafi/