Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti duhet të veprojë urgjent pas dëmeve të mëdha që kanë shkaktuar erërat e fuqishme në rajonin e Dukagjinit.
Kadrijaj në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se kryeministri Kurti, duhet t’i vizitojë vendet ku qytetarët janë duke vajtuar, dhe se ai po ashtu duket të mbajë mbledhje emergjente të Qeverisë për t’i dalë në ndihmë qytetarëve, transmeton Telegrafi.
“Kryeministër, a ke dëgjuar se Peja, Istogu, dhe pjesë tjera të Kosovës janë në vështirësi të mëdha, pas erërave të forta. Pa energji elektrike, me dëme të konsiderueshme materiale, shtyllat elektrike nëpër tokë, kulmet e shtëpive të rrënuara. Në Istog, as dokumentet personale nuk mund të nxjerrin qytetarët. Ku je Kryeministër. Tash je Kryeministër Albin. Njerëzit kanë nevojë për përkrahjen e shtetit. S’ka filozofi këtu. Duhet veprim emergjent.”, ka shkruar deputetja.
Ndryshe, kryetari i Istogut Haki Rugova, ka thënë se pas gjendjes së shkaktuar nga erërat e forta, ai ka formuar tri Komisione të cilat do t’i vlerësojnë dëmet.
Rugova ka bërë të ditur se ka formuar Komisionin për vlerësimin e gjendjes të institucioneve publike, Komisionin për vlerësimin e gjendjes të infrastrukturës rrugore dhe Komisionin për vlerësimin e gjendjes në bujqësi. /Telegrafi/