Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani ka deklaruar mbrëmë se të hënën çështja e Demarkacionit me Malin e Zi do të shkojë në Kuvend.
Osmani në RTV Dukagjini theksoi se Komisioni nuk do të dalë me qëndrim lidhur me këtë çështje, por vetëm do ta procedojë për shqyrtim në Kuvend, pa bërë rekomandime për deputetët nëse duhet ta votojnë ose jo këtë marrëveshje.
Lidhur me këtë gjë, zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni Time Kadrijaj, ka thënë për Telegrafin se kjo marrëveshje mund t’i dorëzohet Kuvendit edhe nëse nuk e votojnë të gjithë anëtarët e këtij komisioni.
“Të hënën në Komision do të jetë për shqyrtim kjo marrëveshje. Komisioni me apo pa përkrahje të anëtarëve të komisionit e procedon më tutje këtë marrëveshje”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka theksuar se më pas Kryesia e Kuvendit vendos se kur do ta procedojë për në seancë plenare marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Deputetja e AAK-së, më tej bëri të ditur se qëndrimi i AAK-së rreth kësaj çështje mbetet i palëkundur.
“AAK nuk do e votojë këtë marrëveshje kurdo që do të jetë në rend dite në seancë plenare”, u shpreh Kadrijaj.
Telegrafi ka provuar të marrë qëndrime edhe nga anëtarët e tjerë të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Kujtojmë se muajin e kaluar Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e Komisionit të ri për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe Marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015 dhe e ka dërguar për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend. /Telegrafi/