Site icon Telegrafi

Kabashi-Ramaj thotë se Kosovës i duhet një sistem efikas i emergjencave civile: FSK-ja nuk duhet të jetë opsion i parë

Besa Kabashi- Ramaj, njohëse e fushës së sigurisë në vend gjatë intervistës për Telegrafin ka thënë se Kosovës i duhet një sistem efikas i emergjencave civile.

Kabashi-Ramaj tha se në këtë mënyrë bëhet parandalimi i hershëm i katastrofave natyrore apo çfarë do qofshin ato, si dhe planifikimi dhe rimëkëmbja e tyre.

“Kosovës i duhet një sistem efikas i emergjencave. Kjo do të thotë së pari duhet konsoliduar në kornizën strategjike, projektizimi politik dhe korniza strategjike shtetërore, mandej duhet ndërtuar sistemi efikas i menaxhimit të emergjencave dhe duhet të ndërtohen kapacitetet njerëzore dhe relevante teknike. Në këtë aspekt të menaxhimit tradicional është një plan që ka të bëjë me parandalimin e hershëm, planifikimin, përgjigjen ndaj emergjencave civile apo katastrofave natyrore apo menaxhimin e tyre dhe pastaj rikuperimin apo rimëkëmbjen”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Ajo tha se fatkeqësisht mungon vetëdija e mjaftueshme tek partitë politike se sa e rëndësishme siç tha Kabashi-Ramaj është sektori i sigurisë.

“Fatkeqësisht mungon vetëdija e mjaftueshme tek partitë politike se sa e rëndësishme është është kuptimi drejt i sektorit të sigurisë në vend, se sa e rëndësishme është jo vetëm për jetën e qytetarëve por edhe për zhvillimin ekonomik, për sektorin e shëndetësisë, arsimit, etj”, ka thënë ajo.

Lexo po ashtu Kabashi-Ramaj: Partitë politike nuk guxojnë të garojnë pa programe për sigurinë e vendit

Sipas saj, FSK-ja duhet të jetë opsioni i fundit për përgjigjen ndaj emergjencave civile, pasi si vend demokratike siç shpjegoi ajo vendi ynë duhet të ketë kapacitete civile për menaxhim të emergjencave civile.

“Deri më tash kemi pas shumë kujtime të hidhura, rastin e vërshimeve, por ne kemi pasur dhe tërmetin në Shqipëri, kemi pas dhe rastin e eksplodimit fatkeq në Ferizaj… Në rastin e vërshimeve, si në çdo rast tjetër gjëja e parë që e bëjmë i thërrasim ata që ju besojmë dhe kanë kapacitet. Në këtë rast është ushtria, FSK-ja. Keni parasysh që në vendet e zhvilluara ushtria është opsioni i fundit për përgjigjen ndaj emergjencave civile, sepse jemi vend demokratik dhe duhet të ketë kapacitete civile për menaxhim të emergjencave civile ndërsa kur gjithçka dështon atëherë e thërret ushtrinë, plus fakti që përgjigja me ushtri është më e shtrenjta. Pra nga aspekti financiar nëse e thërret gjithmonë ushtrinë, je duke e mbingarkuar buxhetin”, sqaroi Kabashi-Ramaj.

Kabashi-Ramaj foli po ashtu edhe për gjendjen e zjarrfikëseve në Kosovë.

Ndër të tjera, njohësja e fushës së sigurisë po ashtu theksoi se nuk duhet të pranohet më si arsye që nuk është konsoliduar sistemi për mos ngritjen e kapaciteteve ajrore për emergjenca civile.

“Hera e fundit që është bërë një propozim për ngritjen e kapaciteteve ajrore është në vitin 2017. Për këto tri vjet jeta e një personi është varë nga zona ku ka ndodh incidenti deri në emergjencë.  Kjo quhet ora kritike. Kapacitetet ajrore për detyrë e kanë shpëtimin e jetës, ta dërgojnë sa më shpejt në emergjencë për intervenim…”, ka thënë ndër të tjera Kabashi-Ramaj.

Ndërkaq, ajo për Telegrafin dha edhe një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit: “Nuk ka arsye që të zgjedhurit e tyre politike të zgjidhen verbërisht. Duhet të informohen saktë se për kë do të votojnë, si do t’i adresojnë sfidat e sektorit të sigurisë në formë konkrete, etj”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version