Site icon Telegrafi

“Ka pas kopjim të madh”, kandidati tregon për parregullsitë gjatë testimit në konkursin për gradimin e policëve

Një nga kandidatët në konkursin për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” ka treguar për Dukagjinin për parregullsitë që kanë ndodhur gjatë testit me shkrim.

Zyrtari policor në kushte anonimiteti ka treguar se gjatë testimit ka pasur kopjim masiv dhe se kandidatët janë lejuar të dalin nga salla “kinse për të shkruar në tualet”.

E këto lëvizje sipas tij, mund të vërtetohen nga kamerat, që mund të jenë në korridoret jashtë amfiteatrit të Universitetit të Prizrenit, “Ukshin Hoti” , ku është mbajtur testimi.

“Unë vet kam qenë pjesë e këtij testi ku dhe kam kaluar me 84 poena, mirëpo ka pas shumë parregullsi ku së pari është mbajtur në Universitetin “Ukshin Hoti”, në Prizren në amfiteatër. Mundësia për kopjim ka qenë shumë e madhe ku dhe ka pas kopjim të madh. Gjithashtu kandidatët janë lejuar që të dalin nga salla e testit me arsyen kinse për të shkuar në tualet. Besoj që ka kamera në korridore ku mund të shihen edhe lëvizjet e shumta të policëve! Testi ka qenë me 4-Maj në ora 10:30”, ka thënë zyrtari policor për Dukagjinin.

Për këtë proces është raportuar se gjatë testit me shkrim, ka pasur keqpërdorime e parregullsi; nga favorizimi i familjarëve e të preferuarve të zyrtarëve të lartë, aplikimi në kundërshtim me rregullat i gjeneratës së 54-të e deri në rrjedhjen e testit nga njerëz me ndikim nga institucionet publike e politike, gjegjësisht, brenda Policisë së Kosovës.

Në lidhje me këtë rast nga Policia e Kosovës, kanë thënë se janë të “hapur për çfarëdo rishikimi apo hetimi”.

Por, sa i përket rrjedhjes së testit, respektivisht, testit të grupit A, nga Policia kanë thënë se “rrjedhja e testit do të ndikonte njëjtë për të gjithë kandidatët”, duke konkluduar komplet ndryshe nga raportimi në fjalë, pasi nuk ka mundësi të ndikonte njëjtë te të gjithë kandidatët, kur testi A u është dhënë vetëm disa personave nga gjenerata e 54-të dhe disa të tjerëve të lidhur me zyrtarë të lartë brenda vetë policisë dhe politikës.

Lexo po ashtu “IPK-ja e Prokuroria të nisin hetimet”, kërkohet anulimi i konkursit për gradimin e policëve

“Andaj, bazuar në procedurat dhe masat e ndërmarra me kohë, ju informojmë se nuk ka asnjë informacion se ka pasur rrjedhje të testit A apo testit B, realisht është një test i njëjtë dhe rrjedhja e testit do të ndikonte njëjtë për të gjithë kandidatët”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tej, ata kanë thënë se “faza e përgatitjes së testit dhe printimit të tij është e monitoruar me kamera”, teksa kanë shtuar se në rast se vërtetohet se ka pasur ndonjë shkelej nga ndonjë zyrtari policor, do të merren masa.

“Po ashtu, faza e përgatitjes së testit dhe printimit të tij është e monitoruar me kamera, është numër i kufizuar i personave që marrin pjesë në printim, si institucion jemi të hapur për çfarëdo rishikimi apo hetimi sa i përket kësaj çështjeje.

Ndërsa, sa i përket mbarëvajtjes së procesit, personeli i kyçur në monitorim pas përfundimit i raporton të gjitha të gjeturat dhe në rast se vërtetohet se ka shkelje nga ndonjë zyrtar, merren masa konform procedurave, Udhëzimit Administrativ”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

E nëse ka pasur ankesa apo vërejtje, nga Polica kanë thënë “se secili zyrtar policor që është futur në testim ka pasur fletën për paraqitjen e vërejtjeve dhe ka mundur t’i paraqesë ato”, teksa Dukagjini ka mësuar se shumë kandidatë që kanë marrë pjesë në testim janë ankuar në Inspektorat Policor të Kosovës.

“Raportimet për keqpërdorime trajtohen me shumë seriozitet dhe korrektësi”, thuhet në përgjigjen e tyre dërguar redaksisë Dukagjini, teksa kanë shtuar se përzgjedhja e kandidatëve bëhet në mënyrë të drejtë.

“Policia e Kosovës ofron kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në procesin e gradimit, pa marrë parasysh përkatësin etnike, fetare, gjinore, racore etj, andaj nuk ka asnjë favorizim për asnjë pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Si në çdo proces edhe në këtë, pas përfundimit të të gjitha fazave testuese, bazuar në nevojat për plotësim të pozitave, do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve, duke respektuar rezultatin përfundimtar nga lista meritore”.

Exit mobile version