Massimiliano Allegri ka thënë se kishte marrë vendim të drejtë për të mos startuar me Moise Kean nga minuta e parë kundër Empolit.
Talenti 19 vjeçar i Juventusit u inkuadrua nga banka rezervë për ta shënuar golin e fitores, për të vazhduar me formën fantastike, pas dy golave të shënuar në dy ndeshjet e para me Italinë.
Pas fitores së të shtunës në kampionatin italian, sulmuesi i ri deklaroi se ka për qëllim që të arrijë nivelet e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
“Është në rregull të kesh ambicie kur je duke u stërvitur te Juventusi dhe je i rrethuar me kampionë të tillë. Dallimi në këtë nivel ka të bëjë me mentalitetin dhe ai duhet që mbi të gjitha të jetë profesionist gjatë gjithë kohës, të jetë i gatshëm të angazhohet dhe të përmirësohet secilën ditë”.
“Ai i ka karakteristikat dhe cilësinë për t’u bërë lojtar i madh, por këto i kanë pasur edhe shumë lojtarë të tjerë që e kanë humbur rrugën gjatë viteve”, ka thënë Allegri për Sky Sport Italia. /Telegrafi/