Site icon Telegrafi

Juventusi i shkakton humbjen e parë Interit dhe i merr kreun e tabelës në Serie A

Juventusi e ka mposhtur Interin në derbin D’Italia të zhvilluar në javën e shtatë në Serie A me rezultat 1-2.

Zonja e Vjetër ishte ajo që kaloi e para në epërsi pas vetëm katër minutash lojë të zhvilluar, derisa golin e realizoi Paulo Dybala nga asistimi maestral i Miralem Pjanic.

Por, Nerazzurët u këndellen me këtë gol të shënuar nga mysafirët, gjersa i barazuan shifrat me anë të Lautaro Martinez (18’) që shënoi nga penalltia, pas prekjes me dorë të topit nga ana e Matthijs De Ligt.

Inter vs Juventus (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Pak minuta më vonë, Cristiano Ronaldo ishte shumë i pafat, pasi golin që e realizoi për t’ia kthyer epërsinë torinezëve, e anuloi VAR-i për pozitë jashtë loje.

Pjesa e parë përfundoi me shumë tensione në mes të dy skuadrave, pasi përplasje kishte në tunel mes lojtarëve vendas dhe Dybalas.

Inter vs Juventus (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Pjesa e dytë filloi me të njëjtën ritëm të lartë dhe me skuadrat që kërkonin të kalonin në epërsi.

Gonzalo Higuain u inkuadrua në lojë në minutën e 62-të në vend të Federico Bernardeschit, e që doli të jetë heroi i ndeshjes.

Inter vs Juventus (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Pas një aksioni të filluar mirë nga Ronaldo, Rodrigo Bentancur asistoi te sulmuesi argjentinas, për ta rikthyer epërsinë e kampionit në fuqi në minutën e 80-të.

Interi më pas tentoi që ta barazonte rezultatin dhe ta shmangte humbjen e parë në këtë sezon, mirëpo torinezët ishin të fokusuar më shumë në pjesën defanzive.

Inter vs Juventus (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Pas javës së shtatë, Juventusi është bërë lider i Serie A me 19 pikë, një më shumë se Interi në vendin e dytë.

Në xhiron e tetë, skuadra e Maurizio Sarrit do të takohet me Bolognan, derisa ajo e Antonio Conte do të ketë punë me Sassuolon. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=rCQoIS5JzvE

https://www.youtube.com/watch?v=vwmuAJ6Yj0c

Exit mobile version