Mediat italiane raportojnë se Juventusi ka nisur një ofertë prej 25 milionë eurosh për Matteo Politanon e Sassuolos.
Ishte menduar se 24-vjeçari do të bashkohej me rivalët e Zonjës së Vjetër për Scudetto, Napoli, përpara afatit përfundimtar të transferimeve.
Megjithatë, Gazzetta dello Sport pretendojnë se lëndimi i Juan Cuadrados do të thotë se bardhezinjtë duan të nënshkruajnë një tjetër lojtar krahu.
Sipas të përditshmes italiane, më shumë bisedime do të bëhen midis dy klubeve në lidhje me një marrëveshje të mundshme.
Edhe pse problemi i Cuadrados ende nuk dihet, Juventusi nuk po merr ndonjë rrezik dhe po planifikon për skenarin më të keq.
Dje, drejtuesi i Sassuolos, Giovanni Carnevali pranoi se Politano kishte shprehur dëshirën për të lënë klubin Neroverdi, por Napoli ishte në ‘pole position’ për të siguruar nënshkrimin e tij.
Megjithatë, me skuadrën nga Torino që tani edhe ajo është në gjueti, situata mund të ndryshojë ditëve të ardhshme.
Politano ka qenë një lojtar i Sassuolos që nga viti 2015, kur ai nënshkroi nga Pescara, ndërsa është lojtar i dal nga akademia e Romës. /Telegrafi/