Site icon Telegrafi

Juventusi nuk gabon ndaj Brescias, Chiellini rikthehet me fitore

Juventus (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Juventusi ka arritur të mposht Brescian me rezultat 2-0 në takimin e vlefshëm për javën e 24-të në Serie A.

Zonja e Vjetër i është kthyer fitores në kampionat pas humbjes befasuese nga Hellas Verona dhe pas fitores ndaj Brescias ka rikthyer edhe pozitën e parë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë te Bianconerëve, të cilët shënuan edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 38-të me anë të një supergol nga goditja e dënimit e Paolo Dybalas, i cili shënoi për 1-0.

Ky gol erdhi pas një ndërhyrje afër zonës së rreptësisë nga Florian Aye, i cili u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve dhe la ekipin e tij me një lojtar më pak.

Në pjesën e dytë, Juventusi rriti edhe më shumë nivelin duke mos lejuar befasi dhe në vazhdim gjeti edhe një gol për të siguruar fitoren, ndërsa kapiteni Giorgio Chiellini u rikthye pas pesë muajve.

Ishte Juan Cuadrado (75’), i cili shënoi për epërsinë 2-0 dhe ky doli të jetë rezultati përfundimtar i ndeshjes, pasi goli i Gonzalo Higuain (81’) u anulua për pozitë jashtë loje.

Pas kësaj fitore, Juventusi e sheh veten në pozitën e parë me 57 pikë apo tri më shumë se Interi i dyti me një ndeshje më pak, ndërsa Brescia zë vendin e 19-të me 16 pikë.

Në ndeshjen e radhës, bardhezinjtë udhëton te Spali, ndërsa Brescia e pret në shtëpi Napolin. /Telegrafi/

https://twitter.com/MostafaMaki99/status/1229068315777101825

Exit mobile version