Sulmuesi i Arsenalit, Alexandre Lacazette ka përfunduar në listën e dëshirave të klubit italian, Juventusit.
Zonja e Vjetër është e interesuar të forcojë edhe më shumë repartin e sulmit dhe kërkohet në veçanti transferimi i një qendërsulmuesi.
Ylli i Napolit, Arkadiusz Milik dhe ai i Wolverhampton Wanderers, Adama Traore kanë qenë emrat e fundit të lidhur me një transferimin në Torino.
Megjithatë, drejtuesit e kampionit italian kanë ndryshuar mendje dhe tashmë një tjetër emër i njohur ka përfunduar në radarin e tyre.
Sipas mediumit Calciomercato, kampionët e Serie A e shikojnë sulmuesin e Arsenalit, Lacazette si pasues ideal të Gonzalo Higuainit, i cili pritet të largohet.
Juventusi thuhet se i është drejtuar agjentit të Lacazette dhe tashmë kanë diskutuar një transferim të mundshëm gjatë verës.
Lacazette ka qenë më parë i lidhur edhe me Barcelonën dhe Interin. /Telegrafi/