Juventusi e ka fituar edhe Kupën e Italisë, pasi në finalen e zhvilluar në Stadio Olimpico e mposhti Milanin me rezultat 1-0 pas vazhdimeve.
Një paraqitje e mirë e Rossonerëve në pjesën e parë, e cila u mbyll pa gola. Rastin më të mirë e pati Bonaventura, por nuk ia doli të shënonte. Bianconerët filluan të luanin në njëzet minutat e fundit të pjesës së parë, porse as ata nuk ishin efektivë.
Në fraksionin e dytë, bardhezinjtë patën një gjysmërast, kur Lemina e dërgoi një top në zonë, derisa një shans të mirë e pati Paul Pogba, por përsëri në vend ishte portieri Donnarumma.
Koha e rregullt përfundoi pa gola, ashtu që u desh që ndeshja të shkonte në vazhdime për ta zgjedhur fituesin.
Bacca dhe Pogba i patën rastet më të mira në pjesën e parë të vazhdimeve që po ashtu përfundoi pa gola. Por, nuk ndodhi ashtu në pjesën e dytë të vazhdimeve.
Porsa shkeli në fushë, Alvaro Morata shënoi golin e fitores që ia dha Zonjës së Vjetër trofeun e dytë sezonal (110).
Kjo është hera e 11-të që Juventusi triumfon në Coppa Italia, ndërkaq Milani e humbi shansin e fundit për të luajtur në Europa League, ku do të luajë Sassuolo. /Telegrafi/
Goli i Alvaro Moratas që ia siguroi Juventusit edhe Kupën e Italisë.
Posted by Telegrafi Sport on Saturday, 21 May 2016