Juventusi planifikon të thyejë rekordin e transferimeve për blerjen e sulmuesit të Tottenham Hotspur, Harry Kane.
Kampioni italian që do të luajë ndaj Spursave në mesjavë në kuadër të Ligës së Kampionëve, ka para për të shpenzuar dhe po mendon për një partner afatgjatë të Paulo Dybalas.
Sipas Don Balon, Kane është shënjestra potenciale e Zonjës së Vjetër që është gati të shpenzojë 250 milionë euro (222 milionë funte) për të siguruar shërbimet e tij.
Përfaqësuesit e Bianconerëve besojnë se 24-vjeçari përshtatet në lojën e tyre dhe mund të jetë një partner i denjë për Dybalan në të ardhmen.
Transferimi më i shtrenjtë i Juventusit deri më tani është Gonzalo Higuain, të cilin e bleu nga Napoli në vitin 2016 mbi 90 milionë euro.
Ndërsa lojtari më i shtrenjtë në histori është Neymar, i cili në verën e vitin 2017 u transferua nga Barcelona te Paris Saint-Germaini për 222 milionë euro.
Manchester Unitedi dhe Real Madridi janë klubet tjera që i kërkojnë shërbimet e Kane, prandaj Juve ka konkurrencë të madhe për transferimin e tij. /Telegrafi/