Juventusi e ka gjetur fitoren e parë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur Maccabi Haifan në Allianz Stadium me rezultat 3-1.
Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme, nga Paris Saint-Germaini dhe Benfica, Bianconerët e kishin të qartë se duhej të triumfonin dhe këtë e bënë.
Angel Di Maria dhuroi një asistim shumë të mirë drejt Adrien Rabiot, i cili e zhbllokoi rezultatin me një gol të bukur (35’).
Me të filluar gjysma e dytë, Di Maria tregoi vizionin e tij duke e gjetur për mrekulli Dusan Vlahovicin dhe sulmuesi e dyfishoi epërsinë (50’).
Dean David e ngushtoi rezultatin (75’) duke i dramatizuar paksa gjërat. Megjithatë, Rabiot e realizoi golin e dytë personal pas het-trikut të asistimeve nga Di Maria, për ta rikthyer avantazhin prej dy golave (83’).
Këto janë tri pikët e para të Juventusit në Grupin H që shpreson të bëjë një rikthim të situatës për të zënë njërin nga dy pozitat e para në grup. /Telegrafi/
RABIOT GOAL https://t.co/8TNCGmAKVu
— Follow @footitalia1 (@footitalia2) October 5, 2022