Site icon Telegrafi

Juve duhet t’i paguajë përqindje agjentit të Ronaldos mbi 20 milionë euro

Jorge Mendes dhe Cristiano Ronaldo (Foto: Getty Images)

Juventusi duhet të paguajë më shumë se 120 milionë euro për Cristiano Ronaldon, pasi 100 milionë euro do të shkojnë për Real Madridin, ndërsa 20 deri në 25 milionë euro do t’i paguhen agjentit të tij, Jorge Mendes.

Sipas Sport Mediaset, përfaqësuesi i portugezit ka arritur marrëveshje me Los Blancos që CR7 të largohet në bazë të klauzolës që e lejon prishjen e kontratës për 100 milionë euro, me kusht që lojtari të transferohet te një klub jo-rival.

Agjenti Jorge Mendes së bashku me Cristiano Ronaldon dhe familjarët e tij (Foto: Getty Images)

Mirëpo, për të ndodhur kjo, Mendes do të përfitojë afro 20-25 milionë euro në bazë të komisioneve të ndryshme.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Juve paguan shuma të mëdha për lojtarët në bazë të përqindjeve të caktuara sipas marrëveshjeve.

Lexo po ashtu Lajmet për Cristiano Ronaldon

Mino Raiola përfitoi një shumë të majme parash kur Paul Pogba u transferua te Manchester Unitedi, asokohe si lojtari më i shtrenjtë.

Fotomontazh: Ronaldo me fanellë të Juves

Ndërsa këtë verë, Emre Can ka kushtuar rreth 16 milionë euro në bazë të komisioneve, përkundër se kontrata e tij me Liverpoolin kishte skaduar.

Nëse këto shifra janë të vërteta, atëherë Ronaldo do t’i kushtojë Zonjës së Vjetër së paku 120 milionë euro (shumë që mund të shkojë deri 150 milionë, varësisht nga përqindja që ka agjenti apo palët tjera të përfshira).

Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se ai kërkon 30 milionë euro pagë neto vjetore dhe kontratë katërvjeçare. /Telegrafi/

Exit mobile version