Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë nga radhët e LVV-së, Jusuf Thaçi ka thënë se qeveria duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me SBASHK-un duke siguruar një kompensim shtesë për punëtorët e sektorit publik.
Ai thotë se kjo duhet të ndodh pasi kosto e jetesës në Kosovë është rritur ndjeshëm kohëve të fundit.
“Qeveria e Kosovës duhet që sa më parë t’i rrisë pagat në sektorin publik së paku deri në nivelin sa rritja e pagës ta reflektojë rritjen e kostos së jetesës. Derisa kjo rritje e pagave të bëhet me ligjin përkatës që është në procedurë e sipër, Qeveria duhet të gjej gjuhë të përbashkët me sindikatat e punëtorëve të sektorit publik për të siguruar kompensim shtesë për punëtorët e sektorit publik”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ai ka dalë kundër kërcënimeve që po u bëhen grevistëve nga institucionet shtetërore.
“Në rrethanat aktuale, kërcënimi e ndëshkimi i grevistëve nuk është as i drejtë e as nuk është zgjidhje”, ka përfunduar Thaçi.
Ndryshe, sot sektori publik në Kosovë nga sot ka nisur grevën e përgjithshme, pasi që sindikalistët nuk kanë arritur të bien dakord me Qeverinë e Kosovës rreth kërkesës së tyre për mbështetje prej 100 eurove.
E pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva./Telegrafi/