Telegrafi

Juncker: Një Brexit pa marrëveshje zgjedhje e britanikëve dhe jo e BE-së

Një Brexit pa marrëveshje do të jetë një zgjedhje e Britanisë së Madhe dhe jo e Bashkimit Evropian, deklaroi presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker në telefonatën e bërë me kryeministrin britanik Boris Johnson, duke përsëritur angazhimin e plotë për të shmangur këtë skenar.

Juncker përmendi gatishmërinë e tij për të punuar në mënyrë konstruktive me Johnson dhe për të parë çdo propozim konkret të bërë, me kusht që të jetë në përputhje me marrëveshjen e divorcit të nënshkruar tashmë.

Presidenti i Komisionit Evropian gjithashtu ka theksuar se “mbështetja e 27 vendeve të BE-së për Irlandën është e palëkundur dhe se BE-ja do të vazhdojë të jetë shumë e vëmendshme për interesat e Irlandës”. /kp/Telegrafi/