Anthony Joshua dhe Tyson Fury pritet ta zhvillojnë duelin për titullin e kampionit të padiskutueshëm botëror në kategorinë e peshave të rënda në vitin e ardhshëm.
Sipas kampionit të WBA, WBO dhe IBF, atij do t’i nevojiteshin vetëm gjashtë raunde për ta nokautuar kampionin e WBC-së.
AJ i riktheu titujt ndaj Andy Ruiz Jr në muajin dhjetor (pasi kishte pësuar humbje të papritur me nokaut), ndërsa në anën tjetër Gypsy King në muajin shkurt e nokautoi Deontay Wilderin duke ia marrë titullin WBC.
Kështu, për herë të parë në histori të boksit britanik, të gjithë titujt e kategorisë së rëndë mbahen nga dy boksierë nga Britania e Madhe.
Edhe pse parashikimet e shohin Furyn si favorit për ta fituar duelin, Joshua që ka humbur vetëm një herë në karrierën e tij, është i bindur se do të fitojë me nokaut.
“Kam shumë respekt për atë njeri. Është njeri familjar dhe boksier i mirë, por në anën tjetër, dua t’ia thyej kokën”.
“Në fillim gjashtë raundet e para dhe pastaj e di se do t’i jap fund. Kam karrierë më të shkurtër, prandaj jam më i freskët”.
“Fury barazoi herën e parë dhe pastaj e riktheu planin e tij dhe e mposhti Wilderin dhe vërtet i mbajti leksion. Mirëpo, mendoj se unë jam më i shpejtë se Wilder, caktojeni kur të doni, unë besoj se jam më i mirë”, ka deklaruar Joshua për A League Of Their Own. /Telegrafi/