Telegrafi

Joshua tregon për këshillat që i mori nga Wladimir Klitschko para meçit ndaj Ruiz

Anthony Joshua duke festuar fitoren ndaj Wladimir Klitschko (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Në prill të vitit 2017, Anthony Joshua triumfoi ndaj Wladimir Klitschko në duelin që u ndal në raundin e 11-të në Wembley të Londrës dhe në këtë mënyrë e dërgoi ukrainasin e famshëm në pension.

Mirëpo, kundërshtari i tij i dikurshëm ka vendosur t’i japë këshilla britaniut për t’i kthyer titujt, të cilët i humbi më 1 qershor të këtij viti.

AJ u rrëzua katër herë nga Andy Ruiz dhe e dorëzoi meçin në raundin e shtatë, në këtë mënyrë edhe titujt e botës në kategorinë e peshave të rënda, WBA, WBO, IBF dhe IBO, që shkuan për meksikano-amerikanin.

Meçi ndërmjet Wladimir Klitschko dhe Anthony Joshua (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Sonte (e shtunë) zhvillohet rimeçi ndërmjet tyre në Diriyah Arena të Arabisë Saudite, ndërsa para duelit, Joshua ka treguar për telefonatën që mori nga 43-vjeçari Klitschko.

“Klitschko më tha që të angazhohem më shumë gjatë stërvitjeve. Dhe pikërisht këtë e kemi bërë dhe kemi folur se çfarë duhet të bëj. (Trajneri) Rob (McCracken) mund ta menaxhojë këtë gjë. Më ka ndihmuar, sepse ndihëm komod në atë që po bëj”.

“Kur tentoj t’i bëj disa gjëra, atëherë e kuptoj. Jam përfshirë më shumë. Këto gjëra më kanë ndihmuar gjatë rrugës dhe më kanë bërë të piqem si njeri dhe një boksier i pjekur është një boksier i mirë”, ka deklaruar Joshua.

Momenti i rrëzimit të parë të Joshuas nga Ruiz Jr (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

Para se të nisej për në Arabinë Saudite, AJ kishte marrë këshilla të tjera nga ish-kampioni i botës në kategoritë  WBA, IBF, WBO, IBO e Ring.

“Klitschko më tha po ashtu që ta hiqja telefonin nga duart këtë javë, të mos i dëgjoja shumë ndikimet nga jashtë, sepse këtë javë kanë rëndësi vetëm ato që i beson ti. Dhe jo ato që përpiqet të t’i thotë dikush nga jashtë”, ka treguar britaniku 30 vjeçar. /Telegrafi/