Telegrafi

Joshua do të ndeshet për titullin kampion bote në peshat e rënda, mësohet kundërshtari i tij

Anthony Joshua pritet të marrë një rrugëtim të ri, ndryshe nga ajo që pritej teksa po i afrohemi vitit 2024.

Boksieri britanik luftoi në të njëjtën kartë me Deontay Wilder të shtunën mbrëma në Arabinë Saudite, pasi nënshkruan një kontratë për t’u takuar më datë 9 mars, por vetëm me një kusht.

Marrëveshja konsistonte në atë që të dy boksierët duhet të fitonin ndeshjet e tyre.

Joshua e realizoi këtë duke e mposhtur Otto Wallin, mirëpo Wilder pësoi humbje ndaj Joseph Parkerit.

Megjithatë, tashmë është krijuar një avantazh për Joshuan, i cili pas fitores në meçin ndaj Wallin, i ka hapur rrugë vetes për t’u bërë tri herë kampion i peshave të rënda në 2024.

Kur Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk do të takohen për titujt WBA, WBC, IBF dhe WBO më 17 shkurt, fituesi me shumë gjasë nuk do t’i mbajë rripat për një kohë të gjatë.

Lexo po ashtu Promotori i Joshuas “përqesh” Wilderin pas humbjes: Ai ka prishur planet tona

Pasi Fury dhe Usyk nënshkruan një marrëveshje që përfshin edhe një meç të dytë, andaj rripi i IBF (International Boxing Federation) me shumë mundësi do të lirohet para meçit të tyre të dytë.

Kjo i hapë rrugë përballjes së Joshuas me Filip Hrgovic, boksierin kroat i cili momentalisht është numri një i IBF-së.

Para zhvillimit të meçit të shtunën, Otto Wallin ishte numri dy i IBF-së. Tani, që Joshua e ka mposhtur atë, e ka zënë vendin e tij.

Në këtë mënyrë, në rast se rripi me të vërtetë mbetet i lirë, atëherë IBF do të urdhërojë përballjen mes Hrgovic dhe Joshuas./Telegrafi/