Site icon Telegrafi

Joshua e dëshiron fitoren e Wilderit: Mendoj se ai do ta mposhtë Furyn

Anthony Joshua, Deontay Wilder, Tyson Fury (Foto: Getty Images/Guliver)

Anthony Joshua thotë se ka nevojë që Deontay Wilder ta regjistroi fitoren e 41-të në karrierë duke e mposhtur Tyson Furyn, në mënyrë që t’ia mundësojë atij realizimin e ëndrrës – unifikimin e titujve në kategorinë e peshave të rënda.

Boksieri amerikan, i cili i ka fituar të gjitha 40 meçet e tij (39 me nokaut) do ta mbrojë titullin WBC kundër ish-kampionit të unifikuar, Tyson Fury, i cili është po ashtu i pamposhtur.

Dueli për titullin e WBC-së zhvillohet në Los Angeles (në orët e hershme të mëngjesit të të dielës me kohën tonë).

Deontay Wilder dhe Tyson Fury zhvillojnë meçin për titullin WBC (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Që të dy boksierët nuk e kanë fshehur dëshirën që pas këtij dueli të përballen me kampionin e unifikuar në fuqi, Anthony Joshua, i cili i posedon titujt IBF, WBO dhe WBA.

Megjithatë, ata kanë theksuar se britaniku 29-vjeçar dëshiron të shmangë përballjen me ndonjërin prej tyre për t’i mbajtur titujt dhe për të vazhduar me rekordin e tij pa humbje.

Mirëpo, AJ thotë se nuk e ka problem që të ndeshet me cilindo nga ta, por shpreson që fituesi të jetë amerikani, në mënyrë që të zhvillojnë meçin e paraparë në prill të vitit të ardhshëm.

Lexo po ashtu Lajmet për Anthony Joshua

“Kam nevojë që Wilder të fitojë. Më jepe një mundësi më shumë që të ndeshem me të. Si kampion, nëse e mban rripin e tij, ky është dueli që njerëzit mezi e presin, prandaj shpresoj që 2019 të jetë një vit i madh për mua”.

Kampioni i unifikuar, Anthony Joshua (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Wilder është kampion tash dhe nëse fiton, ai mund të bëjë çfarë të dojë. Nëse fiton Fury, Wilder e ka të sigurt rimeçin, ashtu që plani ngatërrohet paksa”.

“Prapëseprapë, sipas meje do të jetë Wilder. Ai do të fitojë”, citon Mirror fjalët e Joshuas.

Promovuesi i britanikut, Eddie Hearn, tashmë e ka caktuar datën 13 prill 2019 për meçin e ardhshëm të AJ që do të zhvillohet në Wembley Stadium, ndërsa pritet të mësohet se cili do të jetë kundërshtari i kampionit të unifikuar në kategorinë e peshave të rënda. /Telegrafi/

 

Exit mobile version