Mediat angleze raportojnë se mesfushori i Napolit, Jorginho është objektivi i Liverpoolit gjatë verës për të zëvendësuar Emre Canin, i cili pritet të largohet.
Mesfushori gjerman, Can do të mbetet pa kontratë në qershorin e 2018 dhe nuk pritet të rinovojë atë me Liverpoolin.
Kështu, Redsat janë në kërkim për ndonjë emër të ri për ta zëvendësuar gjermanin dhe si duket e kanë gjetur profilin e kërkuar.
Sipas mediumeve The Sun dhe The Times, trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka gjetur Jorginhon si “zëvendësim ideal” për Canin, i cili duket se është afër për t’iu bashkuar Juventusit.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Napoli do ta lërë Italo-brazilianin të largohet, pasi ai luan një rol kyç në formacionin e Maurizio Sarrin.
Për më tepër, The Times paralajmëron Redsat se ata gjithashtu do të përballen me konkurrencë të fortë nga skuadrat tjera.
Ky medium thekson se konkurrenca për Jorginhon vjen nga dy skuadrat e mëdha të Ligës Premier, Manchester City dhe Manchester United.
Megjithatë, Napoli në rast shitje do të fitonte një fitim të konsiderueshëm pasi e kanë blerë te Verona për vetëm 9.5 milionë euro në vitin 2013, ndërsa lojtari ka ende dy vjet e gjysmë të mbetura në kontratën e tij dhe çmimi mendohet të jetë rreth 40 milionë euro. /Telegrafi/