Real Madridi është në kërkim të një sulmuesi qendror në afatin kalimtar të janarit.
Los Blancos do ta largojnë në afatin kalimtar të janarit sulmuesin Mariano Diaz dhe Karim Benzema ka nevojë për një rezervë.
Sulmuesi kanadez, Jonathan David është njëri nga emrat e pëlqyer në kryeqytetin spanjoll dhe për transferimin e tij ka dhënë dritën e gjelbër edhe trajneri Carlo Ancelotti.
Trajneri italian e pëlqen lojën e kanadezit i cili është mjaftë i rrezikshëm në zonë dhe kërkon ta ketë nën urdhrat e tij qysh në afatin kalimtar të janarit.
22-vjeçari ka dy vite që shkëlqen me klubin francez Lille, derisa ka zgjuar interesimin e top klubeve evropiane si Chelsea, Bayern Munich, PSG e së fundmi Real Madrid.
Los Blancos do të tentojnë afrimin e lojtarit në janar dhe Marca ka raportuar se tanimë kontaktet e para mes dy klubeve kanë filluar.
Lille e vlerëson shumë yllin e tyre dhe për ta lënë të lirë synojnë të fitojnë së paku 60 milionë euro.
Megjithatë vet reprezentuesi kanadez javë më parë deklaroi se tani është i gatshëm për ta bërë një hap para në karrierë dhe për të nënshkruar me një klub të madh. /Telegrafi/