Telegrafi

Johnson thotë se Putini e kishte kërcënuar me sulm me raketë, pak para pushtimit të Ukrainës

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka zbuluar në një intervistë të dhënë për BBC, se presidenti rus Vladimir Putin e kishte kërcënuar me sulm me raketë përmes një bisede telefonike që e kishin zhvilluar pak para pushtimit të Ukrainës.

Johnson asokohe ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, kurse Putin gjatë bisedës së gjatë pretendohet t’i ketë thënë se do të zgjasë “vetëm një minutë”, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu pranoi sesi e kishte kundërshtuar duke ia bërë të ditur se lufta “do të ishte katastrofë totale”, por Putin menjëherë kishte reaguar duke e kërcënuar.

Johnson kishte tentuar t’ia shpjegojë se lufta do të sjellë sanksione nga perëndimi dhe shtimin e trupave të NATO-s përgjatë kufijve me Rusinë.

Lexo po ashtu Ushtria ruse godet me raketa bllokun e ndërtesave kolektive në Kharkiv, raportohet për një të vdekur

Gjithashtu i kishte thënë se Ukraina akoma nuk do të jetë anëtare e NATO-s dhe se nuk ka arsye për veprime, por Putin i kishte thënë: “Boris, nuk dua të lëndojë, por me një raketë do të më duhej vetëm një minutë”.

Këto detaje i zbuloi në BBC derisa përshkruante bisedat e Putinit me liderët botërorë. Kur bëhet fjalë për reagimin e tij ndaj presidentit rus pas kërcënimeve, Johnson tha se nuk e ka marrë si diçka serioze për shkak se toni i zërit të Putinit dukej i relaksuar.

“Putin kundër Perëndimit”, do të transmetohet sot në BBC-2, kurse më vonë do të mund ta shohin të gjithë edhe onlinie. /Telegrafi/