Telegrafi

Johnny Depp dhe Jeff Beck publikojnë versionin e ri të këngës së John Lennon që flet për izolimin

Johnny Depp (Foto: Getty Images/Guliver)

Aktori Johnny Depp dhe kitaristi Jeff Beck e kanë publikuar përpunimin e këngës së John Lennonit, “Isolation”.

Edhe pse për herë të parë e kishin interpretuar drejtpërdrejt në shtator të vitit të kaluar, ata kanë vendosur të publikojnë tash, në periudhën e pandemisë së coronavirusit.

“Në fakt, këngën nuk e kemi planifikuar ta prezantojmë kaq herët, por mendojmë se është e përshtatshme me kohën e vështirë dhe izolimin e vërtetë, në të cilin ndodhen njerëzit në të gjithë botën”.

“Vargjet e Lennonit: ‘Të gjithë kemi frikë. Kam frikë nga dielli!’, Jeffit dhe mua na janë dukur të përshtatshme për këtë kohë”, ka thënë Depp.

Duke qenë se tash ka shumë kohë të lirë, aktori ka vendosur të realizojë materiale muzikore dhe më në fund i është bashkuar rrjetit social Instagram, ku brenda dy ditësh ka kaluar shifrën prej 3.2 milion ndjekësish. /Telegrafi/