Mesfushori i Interit, Joao Mario këmbëngul se nuk do të largohet në verë, teksa ka theksuar gjithashtu se lojtarët nuk duhet të shpërqendrohen nga thashethemet.
Ka pasur thashetheme se reprezentuesi portugez mund të jetë mes atyre futbollistëve që largohen gjatë verës, pavarësisht faktit që ai nënshkroi vetëm verën e kaluar.
“Unë përpiqem të shoh përpara dhe të përmirësohem”, ka thënë fillimisht Joao Mario për Premium Sport.
“Pastaj i respektoj vendimet, por mentaliteti im është që të përqendrohem vetëm në punën time dhe në qëndrimin tim, unë jam duke menduar vetëm për të bërë më të mirën time këtu në Itali”.
“E di se klubi bëri një investim të rëndësishëm për të më sjellë këtu”, përcjell Telegrafi.
“Thashethemet? Mendoj që lojtarët nuk duhet të shpërqendrohen, klubi duhet të flasë për këto gjëra”, përfundoi ish-mesfushori i Sportingut.
Ndryshe, Joao Mario u transferua gjatë verës në Inter për një shifër rreth 45 milionë eurove, pasi u shpall kampion i Evropës me Portugalinë. /Telegrafi/