Site icon Telegrafi

“Jo zgjidhje ushtarake apo policore”, Arifi: NATO po kërkon zgjidhje përmes dialogut për Urën e Ibrit, Qeveria bëri kalkulime të gabuara

Mungesa e takimit trepalësh në takimin e djeshëm në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi, po reflekton një humbje të rëndësishme të mirëbesimit mes palëve, veçanërisht pas sulmeve terroriste dhe tentativave të agresionit nga ana e Serbisë.

Kështu është shprehur për Telegrafin profesori universitar dhe politologu, Dritëro Arifi.

Ai ka theksuar se ky zhvillim ka ulur intensitetin dhe vullnetin për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe Ankesën e Ohrit.

“Ky proces ka humbur mirëbesimin mes palëve dhe ulë të gjithë intensitetin dhe vullnetin sado që i vogël ka qenë për të zbatuar marrëveshjet e arritura”, tha Arifi.

Ai shtoi se kjo situatë është tregues i dobësisë së Bashkimi Evropian, i cili nuk ka arritur të ulë palët dhe t’i bindë që të zbatojnë angazhimet e tyre.

Arifi vlerëson se pikat e pazgjidhura, si njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë bërë pengesë kryesore në përparimin e dialogut.

Ai nënvizoi se “nëse këto dy pika do të ishin zgjidhur, dialogu do të kishte ecur më shpejt se sa mund të imagjinojmë”.

Profesori universitar shtoi se dialogu i hapur dhe përmbajtjesor nuk do të mund të ndodhë para shkurtit apo marsit 2025, duke pritur edhe formimin e administratës së re të SHBA-së pas zgjedhjeve të ardhshme.

Në një analizë të pozicionit të Kosovës, Arifi e ka vënë theksin në menaxhimin e dobët të politikës së jashtme dhe dialogut nga ana e Qeverisë së Kosovës. “Pozicioni i Kosovës ka pësuar rënie, jo për shkak të rrethanave që ka krijuar Serbia, por për shkak të ke menaxhimit të politikës së jashtme dhe dialogut në tërësi,” tha ai për Telegrafin.

“Komunikimi i keq me partnerët perëndimorë, veçanërisht me SHBA-të, ka dëmtuar lobimin e SHBA-ve për Kosovën në vendet evropiane dhe ka rritur presionin mbi të.”

Arifi thekson se “kur Kosova nuk e ka mbrojtën e SHBA-së, presioni evropian do të jetë gjithnjë e më shumë mbi Kosovën, dhe do ti kërkohet më shumë kompromise se palës tjetër”.

Politologu konsideron se Kosova duhet të punojë shumë për të riparuar dëmet e krijuara dhe për të rikthyer pozicionin e saj në një nivel të barabartë.
“Kosova nuk mund të humbë më thellë sesa që është tani. Perëndimi nuk do të lejojë që Kosova të fundoset në këto bisedime, por duhet gjetur mënyra e duhur e komunikimit që i ka munguar kësaj Qeverie që nga fillimi”, tha ai.

Dritëro Arifi

Reagimi i NATO-s për Urën e Ibrit pas takimit në Bruksel

NATO ka njoftuar se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Ky qëndrim u bë i ditur gjatë takimeve të veçanta të martën në Bruksel, mes ndihmës sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus me kryengecoiatorët e Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket këtij reagimi të NATO-s, Arifi theksoi se, deri më tani, NATO ka mbajtur një rol neutral dhe ka qenë e fokusuar në sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it.

Megjithatë, sipas tij reagimi i fundit i tyre tregon një shqetësim të shtuar për sigurinë, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe NATO tani po dërgon sinjale me të sakta për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

“Fokusi i NATO-s te Ura e Ibrit simbolizon një çështje më të rëndësishme sesa vetë ura, një lloj komunikimi më të shëndosh mes Kosovës, NATO-s dhe Serbisë,” tha Arifi për Telegrafin.

Profesori Arifi ka theksuar se këmbëngulja e NATO-s për të arritur një zgjidhje përmes dialogut dhe jo përmes një zgjidhjeje ushtarake apo policore është e qartë.

Ai ka shprehur shqetësim për mënyrën se si Qeveria e Kosovës e ka trajtuar çështjen e urës, dhe e ka bërë atë pjesë të diskutimeve në Bruksel dhe në NATO, duke e cilësuar këtë si një kalkulim të gabuar.

“E shoh të vështirë dhe të palogjikshme sesi Qeveria e Kosovës ka arritur të dërgojë çështjen e urës në Bruksel dhe të diskutohet në NATO,” ka deklaruar Arifi.

Ai ka vlerësuar se ky menaxhim i çështjes ka vënë partnerët ndërkombëtarë në pozita jo të favorshme dhe ka kontribuar në një pozicion defanziv për Kosovën.

“Partnerët ndërkombëtar janë vendosur në pozita të vështira për shkak të këmbënguljes së dobët të Qeverisë së Kosovës,” ka përfunduar Arifi, duke shprehur shpresën që kjo situatë mund të përmirësohet në të ardhmen.

Takimi i 17 shtatorit në Bruksel mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq me përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak përfunduan sërish pa ndonjë rezultat, pasi që nuk pati takim treplaësh.

Lajçak shprehu “keqardhje që nuk arrita t’i adresoj çështjet më të rëndësishme” në një takim trepalësh, duke shtuar se ai është në dispozicion të palëve “dhe ne do të vazhdojmë në javët në vijim”.

Bislimi tha për gazetarët se një takim trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Por, kryenegociatori serb, Petkoviq, e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/

Exit mobile version