Dy hajdutë kanë arritur të hyjnë në vilën e pilotit britanik të McLaren, Jenson Button në St. Tropez dhe të vjedhin stoli në vlerë prej 300 mijë paund, përfshirë edhe unazën e martesës së bashkëshortes në vlerë prej 250 mijë paund.
Mendohet se hajdutët kanë përdorur gaz të cilët e kanë lëshuar në ambientet e vilës përmes kondicionerit, që ka shkaktuar humbjen e vetëdijes për pilotin, bashkëshorten e tij, Jessica Michibata dhe tre miq të tjerë që kanë qenë në vilë.
Button ka kuptuar që ka qenë viktimë e një vjedhjeje vetëm mëngjesin e ditës së ardhshme, pasi kur është zgjuar ka parë shtëpinë e tij që është bastisur.
“Jenson, Jessica dhe miqtë e tyre ishin me pushime dhe po qëndronin në vilën në St. Tropez kur të hënën dy burra kanë hyrë me dhunë derisa të gjithë ishin në gjumë. Ata kanë vjedhur stoli të çmuara, përfshirë edhe unazën e martesës së Jessicas”, thuhet në njoftimin e njërit prej zëdhënësit të pilotit britanik.
Policia lokale është duke vazhduar hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa ka ftuar për intervistë edhe pilotin, bashkëshorten e tij dhe miqtë që gjendeshin në vilë në momentin e vjedhjes. /koha.net/