Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit e cila ndodhi më 22.08.2021 janë sjellë sot më 11.07.2024 para gjykatës.
Rasti ndaj tyre është në rigjykim në Gjykatën e Ferizajt, pasi Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin me të cilin Dardan Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm, e Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim.
Sot, para Gjykatës së Ferizaj, në seancën e rigjykimit Dardan Krivaça dha versionin e tij për ngjarjen duke e mohuar faktin se e kishte goditur me shkop të ndjerën ashtu siç pretendon prokuroria, e për lëndimet e të ndjerës ai tha se ishte rrëzuar nga shkallët bashkë me të kur po e dërgonte në spital, raporton Kallxo.com
“Nuk ia kam thy asnjë pjesë të trupit. Nuk e kam goditë asnjëherë me lëndu siç është lëndu. Lëndimet kanë ardhë si pasojë e rrëzimit nga shkallët e 5-tit kat. Kur e kemi dërguar te spitali. Jam rrëzu bashkë me të ndjerën dy herë. Më ka ra prej duarve, s`kam mujt me çu për shkak të panikës, stresit, nuk kam pas fuqi as vet”, u shpreh Krivaqa para trupit gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sahit Krasniqi, anëtarët Fitore Daci dhe Habib Zeqiri.
Ai shtoi se shkopi në banesën e tij gjendet për shkak se nëna e tij jetonte vetëm dhe e ka përdorur për mbrojtje, e nuk e kishte përdorur asnjëherë për ta goditur të ndjerën.
“Ai shkopi i cili përmendet është shumë ma herët, ka qëndru mbi radiator. Për shkak se nëna ka jetu vet në banesë. E ka pas si mjet për me u mbrojt. Asnjëherë nuk e kam marr për me goditë të ndjerën. Ndoshta me frikësu po, por me goditë asnjëherë”- tha ai.
Krivaqa para gjykatës theksoi se edhe Marigona ishte konsumuese e substancave narkotike dhe se bashkë konsumonin lloje të ndryshme substancash.
Lidhur me pjesën e dhunimit ai u shpreh se nuk kishte pasur marrëdhënie seksuale me të ndjerën në datën 21.08.2021 (ditë e shtunë).
Ai tha se marrëdhënia e fundit e tyre seksuale kishte qenë të premten pasdite, duke shtuar se asnjëherë nuk kishte kryer marrëdhënie me të pa pëlqimin e saj.
Lidhur me problemet me të ndjerën ai tha se më datë 21.08.2021 kishte pasur fjalosje me të, ishin “goditur” me njëri tjetrin, e kur Krivaqa u pyet nga mbrojtja e tij se si e kishte goditur ai u shpreh “3-4 shuplaka”.
Krivaqa sot përshkroi edhe si ishte njoftuar me të ndjerën, duke treguar se ishin njoftuar përmes rrjetit social në “Instagram” kur i akuzuari kishte qenë në Francë, e pastaj kur kishte ardhur në Kosovë ishin takuar dhe kishin vazhduar lidhjen.
Tutje, ai përshkroi se ai dhe e ndjera, kishin bërë plane për tu martuar në muajin shtator, e pastaj sipas tij, plani ishte që të shkonin në Evropë.
Krivaqa do të vazhdojë të japë mbrojtjen edhe gjatë sesionit të pasdites në Gjykatën e Ferizajt.
Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë goditur të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.
Gjykata e Apelit me rastin e kthimit të rastit në rigjykim kishte vlerësuar se dispozitivi i parë dhe i dytë i aktgjykimit është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me ligjin.
Dispozitivi i parë i aktgjykimit ka të bëjë me veprën penale të dhunimit, veprime për të cilat Krivaqa u lirua nga akuza. Ndërkaq dispozitivi i dytë lidhet me akuzat ndaj Arbër Sejdiut për ndihmë në kryerjen e dhunimit, vepër për të cilën i njëjti ishte liruar nga shkalla e parë.
Krivaqa akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta të ndjerën Marigona Osmani. Me të njëjtën, Krivaqa ka qenë në lidhje jashtëmartesore. Më 22.08.2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.
Dosja e prokurorisë tregon se videoincizimet paraqesin raportet mes të pandehurit Krivaqa dhe të ndjerës kurse pastaj ato sipas prokurorisë ishin përkeqësuar.
“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaqa dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin” – shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.
“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaqa dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57” – përshkruhet në aktakuzë.