Javën e kaluar në vend janë shënuar disa ngjarje të cilat kanë marrë vëmendjen e qytetarëve, duke filluar nga dorëzimi në polici i Kadri Shalës, pronar i kompanisë “LDA Group”, të cilit iu ishin bërë transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit, paraqitja e ish-eprorit të UÇK-së në Hagë, Salih Mustafa, miratimi i Projektbuxhetit për vitin 2021 në Qeveri.
Po ashtu, gjatë kësaj jave në një intervistë për Telegrafi.com kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se fajtor për marrëveshjen e Asociacionit janë presidenti aktual Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Javën që lamë pas është shënuar rritje rekorde e rasteve me coronavirus, ku të shtunën janë shënuar 514 raste.
Vjedhja në Thesarin e Shtetit, Kadri Shala dorëzohet në Polici
Të hënën, më 26 tetor është dorëzuar në Policinë e Kosovës, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, të cilit i ishte bërë transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.
Lajmin e kishte konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Baki Kelani.
“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetë-dorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do t’i ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, kishte thënë ai.
Osmani: Asociacionin e bënë bashkë Thaçi e Mustafa, presidenti ta dijë që ka njerëz që kurdo e kudo e mposhtin me vota
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë intervistës në “Përballje” në Telegrafi.com ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas Osmanit, fajtor për marrëveshjen e Asociacionit janë presidenti aktual Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ajo e quan gabim shumë të madh që në vitin 2015 deputetët e LDK-së e votuan këtë marrëveshje në Kuvend.
“Në vitin 2013 kur Thaçi e nënshkroi marrëveshjen e cila u ratifikua në Kuvend, ai kurrë nuk do të mund ti bënte 2/3 që duheshin për ratifikim sikur LDK-ja mos t’i ndihmonte. Unë atëherë kam qenë e vetmja nga LDK-ja që kam votuar kundër, dhe sikur edhe të tjerët ta besonin vlerësimin që pe japin tash pas shtatë vitesh se ka qenë e dëmshme ajo marrëveshje e nënshkruar nga Thaçi atëherë Thaçi kurrë nuk do të arrinte ta bënte atë marrëveshje të obligueshme sepse nuk do t’i merrte votat për ratifikim. Ka qenë gabim i madh që deputetët e LDK-së në atë kohë e kanë përkrahur një marrëveshje të tillë”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi se Thaçi e Mustafa kanë qenë bashkë atëherë dhe vazhdojnë të jenë bashkë edhe sot.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pati edhe një porosi për presidentin Thaçi, duke thënë se ka njerëz që e kanë mundur edhe mund ta mundin me vota.
“Thaçi, duhet ta dijë një gjë shumë mirë që ka njerëz në Kosovë që e kanë mundur dhe e mundin me vota kurdo që don ai me dalë në zgjedhje. Janë dy njerëz, i ndjeri Rugova dhe pastaj në zgjedhjet e fundit Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit ka folur edhe për skadimin e mandatit kushtetues të presidentit aktual Hashim Thaçi dhe mundësisë së zgjedhjes së një presidenti të ri nga marrëveshja politike.
Ajo ka thënë se sipas Kushtetutës në rast se koalicioni qeverisës nuk arrin marrëveshje në pranverën e vitit 2021 për çështjen e presidentit atëherë vendi shkon në zgjedhje.
Osmani shtoi se do të ishte një goditje e madhe nëse ky koalicion e imponon edhe një president për pesë vitet e ardhshme.
Mustafa deklarohet i pafajshëm për krimet e pretenduara nga Specialja
Të mërkurën, më 28 tetor ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm për krimet e pretenduara nga Specialja.
Në fjalimin e tij, Mustafa ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejt dhe për liri dhe se ai është i pafajshëm, transmeton Telegrafi.
“Unë Salih Mustafa, ish-luftëtar i lirisë dhe ish epror i UÇK-së,duke besuar thellë në betimin UÇK-së, duke qenë i bindur thellë se lufta për liri e UÇK-së, ka qenë e drejtë e pashmangshme dhe e domosdoshme. Sepse okupimi i gjatë fashist me përmasa gjenocidale i Millosheviqit, si dhe pas luftërave të përgjakshme te këtij kasapi në Bosnjë, mua dhe popullit tonë nuk na kishe lënë shumë zgjidhje. Ose të jemi të përndjekur, pa athe e pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të gjithanshme që kulmoi me luftën e UÇK-së, për liri , pavarësi e shtet demokratik”, kishte thënë ai.
“Unë Salih Mustafa, ish-luftëtar i lirisë dhe ish epror i UÇK-së,duke besuar thellë në betimin UÇK-së, duke qenë i bindur thellë se lufta për liri e UÇK-së, ka qenë e drejtë e pashmangshme dhe e domosdoshme. Sepse okupimi i gjatë fashist me përmasa gjenocidale i Millosheviqit, si dhe pas luftërave të përgjakshme te këtij kasapi në Bosnjë, mua dhe popullit tonë nuk na kishe lënë shumë zgjidhje. Ose të jemi të përndjekur, pa athe e pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të gjithanshme që kulmoi me luftën e UÇK-së, për liri , pavarësi e shtet demokratik”, ishte shprehur Mustafa.
Para se të deklarohet i fajshëm apo i pafajshëm, Mustafa ka bërë një deklaratë për gjykatës së procedurës paraprake, përmes se cilës kërkoi që të hetohen, siç tha ai, krimet serbe të kryera ndaj civilëve shqiptar në Kosovë.
Në Speciale Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali ka përmendur gratë e dhunuara dhe masakrat e serbëve ndaj civilëve shqiptar në Kosovë.
Qeveria: Në Bruksel u diskutua për pensionet dhe kadastrin, nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve
Të enjten, më 29 tetor Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media bën të ditur se me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka zhvilluar në Bruksel, takimin e radhës me delegacionin e Serbisë.
Temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.
“Në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Përkundër diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Por megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës”, thuhet në njoftim.
Qeveria miraton Projektbuxhetin për vitin 2021
Të premten Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2021. Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro, 200 milionë euro më pak se buxheti i vitit 2020.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami pohoi se buxheti i përgatitur është gjithëpërfshirës, transmeton Telegrafi.
“Kemi përgatit një buxhet gjithëpërfshirës, jemi duke u përballur me një sfidë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Situata pandemike ka imponuar që të marrim masa agresive, ashtu që këtë sfidë ta kalojmë me sukses. Ky dokument reflekton synimet kyçe të Qeverisë, që janë beteja për ta mposhtur pandeminë dhe rimëkëmbja ekonomike. Për secilën kategori do të ketë mjete të mjaftueshme. 6.7 përqind pritet të tkurret ekonomia këtë vit si pasojë e pandemisë. Gjatë vitit 2021 pritet të rritet me 5.2 përqind. Parashikimet janë të rrethuara me pasiguri të larta. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike pritet të vijë nga eksporti”, tha ajo.
Ministrja e Financave tha më tej se sipas parashikimeve shpenzimet për vitin 2021 do të jenë 2 miliardë e 412 milionë euro, shpenzimet për paga do të jenë 625 milionë, mallra dhe shërbimet do të jetë si në vitin 2019, investimet kapitale do të jenë 613 milionë, subvencione dhe transfere 643 milionë dhe sipas saj me të gjitha këto deficiti buxhetor për vitin 2019 pritet të jetë 4.2 %.
Në buxhetin e vitit 2021, Qeveria fut edhe ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit
Bajrami: Ekonomia është goditur fort, një mbyllje e dytë do të ishte fatale
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ku u miratua Projektbuxheti për vitin 2021 tha se vendi po kalon një situatë të vështirë për shkak të pandemisë COVID-19.
Bajrami tha se gjatë kësaj periudhe ekonomia është goditur fort.
“Ekonomia është e vogël, buxheti është fragjil dhe jemi të varur edhe nga financimet e jashtme dhe të brendshme në mënyrë që t’i adresojmë kërkesat pasi nevojat kanë qenë më të mëdha”, tha ministrja, raporton Telegrafi.com.
“Është kohë sfiduese për të bërë parashikime të sakta meqenëse situata është e vështirë për t’u parashikuar në kohë pandemie, jo vetëm për Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës, por edhe për institucionet financiare ndërkombëtare”, tha Bajrami, raporton Telegrafi.
Ajo bëri të ditur se janë në prag të hyrjes në një program me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një program ky dyvjeçarë që do të adresojë dy sfida kryesore, reformën substanciale për skemat pensionale të Kosovës dhe strategjinë për menaxhimin e borxhit publik meqenëse siç tha ajo në këtë kohë kanë qenë të detyruar të hyjnë në hua.
“Sipas parashikimeve pandemia do të tkurrë ekonominë e vendit për 6.7 %”, bëri të ditur Bajrami.
“Bëj thirrje që të respektohen masat nga IKSHPK-ja dhe MSH-ja në mënyrë që të mos rrëshqasim edhe një mbyllje të dytë se do të ishte fatale”, tha ministrja Bajrami.
E shtuna, raste rekorde me coronavirus
Të shtunën, më 31 tetor janë shënuar raste rekorde me coronavirus. Nga gjithsej 1.750 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, pozitive kanë rezultuar 514 raste dhe tre të vdekur.
Rritja e rasteve me COVID-19, Hoti: Institucionet po bëjnë të pamundurën që situatën ta mbajnë nën kontroll
Rastet ditore me COVID-19 tashmë kanë arritur mbi 500. Megjithatë, kryeministri Avdullah Hoti vlerësoi se situatën me pandeminë e kanë ende nën kontroll.
Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka thënë se numri i testimeve për COVID-19 po rritet, sikurse po rritet edhe numri i rasteve, ndërsa institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontroll këtë situatë, sidomos stafi shëndetësor, prandaj ka kërkuar që edhe qytetarët ta japin ndihmën duke respektuar rekomandimet shëndetësore.
“Të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë! Vetëm duke mbajtur maskën dhe duke ruajtur distancën, mund ta fusim nën kontroll këtë valë të dytë të #COVID19 dhe ta mundim virusin.
Numri i testimeve për COVID-19 po rritet, sikurse po rritet edhe numri i rasteve. Ne vazhdojmë ta kemi situatën nën kontroll dhe kemi shumë më pak të infektuar në krahasim me rajonin dhe Evropën. Institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontroll këtë situatë, sidomos stafi shëndetësor, prandaj t’i ndihmojmë ata.
Ta bëjmë këtë për shëndetin tonë, të familjes dhe të afërmve tanë. Ta bëjmë për mirëqenien tonë.
Trajektores së kuqe që ka filluar të ngrihet, mund t’ia ndalim hovin vetëm duke i respektuar masat për parandalim të përhapjes së virusit”, ka shkruar Hoti në Facebook. /Telegrafi/