Site icon Telegrafi

Java që lamë pas – Miratimi i Ligjit për Rimëkëmbje, njoftimi i Trustit për mënyrën e tërheqjes së 10 përqindëshit dhe deklarata e Mustafës për Vjosa Osmanin

Javën që lamë pas u miratua Ligji për rimëkëmbje ekonomike, ligj që ky kishte ngjallur interesimin e qytetarëve me faktin se iu mundëson tërheqjen e 10 për qindëshit nga Trusti. Ligji arriti të miratohet në  Kuvend pas gjashtë dështimeve në lexim të parë dhe dy dështimeve në lexim të dytë.

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është dekretuar nga Zyra e Presidencës, ndërsa pas dekretimit Trusti ka dhënë detajet për mënyrën e aplikimit të tërheqjes së 10 përqindëshit.

Po ashtu javën e kaluar Specialja ka publikuar vendimin e konfirmimit të aktakuzës kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, dosje kjo me mbi 200 faqe, ndërsa jehonë bëri edhe deklarata e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili i tha kryeparlamentares Vjosa Osmani, që meqë qenka kaq e vlefshme ta provojë veten pa LDK-në dhe e sheh sa vota merr.

Javën që lamë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbajtur seancë publike për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, që qeveria Hoti të shpallet anti-kushtetuese, për shkak të votës së deputetit të partisë së Ashkalinjëve, Etem Arifit, i cili është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Më 4 dhjetor në Kizhevak të Serbisë kanë vazhduar gërmimet për mbetjet mortore të personave që dyshohet të jenë të personave që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa u tha se deri më tani janë zbuluar pesë varreza.

Specialja publikon vendimin e konfirmimit të aktakuzës kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, dosja e plotë mbi 200 faqe

Më 30 nëntor, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë publikuar vendimin e aktakuzës së plotë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte.

Vendimi për konfirmim të aktakuzës sipas dokumentit është marrë më 26 tetor të këtij viti, mirëpo është publikuar vetëm më 30 nëntor.

Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.

Në këtë version të plotë, Dhomat e Specializuara kanë publikuar data, vende dhe raste specifike, sipas saj, të kryerjes së krimeve.

Seanca dëgjimore e Kushtetueses për votën e Etem Arifit për Qeverinë Hoti

Më 2 dhjetor është mbajtur seanca publike për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, që qeveria Hoti të shpallet anti-kushtetuese, për shkak të votës së deputetit të partisë së Ashkalinjëve, Etem Arifit, i cili është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Kjo seancë është mbajtur online për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Ndryshe, Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti.

Ndërsa, për LVV-në, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jo-valide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Arifi është i dënuar me një vjet e tre muaj burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Mungesa e oksigjenit në spitalin e Gjilanit  

Më 2 dhjetor, Komuna e Gjilanit përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Spitali i Gjilanit ka nevojë emergjente për furnizim me oksigjen.

Nënkryetari Arbër Ismajli bëri të ditur se Spitali i Përgjithshëm ka nevojë emergjente të furnizimit me oksigjen, ndërsa kishte thënë se po bëhen përpjekje maksimale me Ministrinë e Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë problem.

Mustafa, Osmanit: Meqë qenka kaq e vlefshme – tani e provon veten pa LDK-në dhe e sheh sa vota merr

Më 2 dhjetor, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e Vjosa Osmanit se në këtë subjekt e pranuan vetëm për t’ju siguruar votat.

Mustafa deklaroi se nuk është vetëm Osmani që e vendosin në listat e LDK-së për vota, por secilin anëtar të këtij subjekti.

Megjithatë sipas Isa Mustafës, Vjosa Osmani tani e ka mundësinë ta provojë veten pa LDK-në. “Por meqë Osmani meqë qenka kaq e madhe kaq e vlefshme, tani e provon veten pa LDK-në dhe e sheh sa vota i merr pa LDK-në”. “Mos me pas hy Osmani në listën e LDK-së, nuk e di sa vota i kishte marrë”.

Avdyli i reagon Mustafës: Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia po e akuzon për komunizëm Vjosën, e shkolluar në SHBA

Por, kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli.

Avdyli në një postim në Facebook e ka quajtur kreun e LDK-së ‘komunistin e fundit nga ish-Jugosllavia’.

“Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia deri BRSS , i shkolluar në Kumrovc, ministri i fundit i Krahinës Socialiste të Kosovës po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar ne SHBA, në vendin simbol të demokracisë. Ja deri ku arriti mediokriteti i tij”, shkruan Avdyli.

Drejtoresha e Barnatores Qendrore në SHSKUK-së thotë se gjatë pandemisë ndryshuan çmimet e barnave

Gjatë javës që lamë pas në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë ka raportuar Gëzime Pllana, drejtoreshë e Barnatores Qendrore në SHSKUK-së, e cila tha se gjatë pandemisë kanë ndryshuar çmimet e barnave.

Pllana para anëtarëve të komisionit, tha se kanë filluar përgatitjet pas muajit shkurt për furnizim me material, dhe se aprovimet i marrin nga bordi i ShSKUK-së.

Sipas saj, gjatë pandemisë kanë vërejtur ndryshim të çmimeve, dhe se për këtë tha se arsye janë kërkesat e mëdha.

Votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Të premten, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ligji përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

Ky Ligj tashmë është dekretuar edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

“Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është dekretuar dje, në momentin që është sjellë nga Kuvendi”, ka thënë për Telegrafin, Artan Murati, këshilltar i Osmanit.

Pas dekretimit nga Presidenca, Ligji pritet të publikohet në Gazetën Zyrtare ku brenda 15 ditëve do të hyjë në fuqi.

Pas dekretimit të Ligjit, Trusti jep detajet për mënyrën e aplikimit të tërheqjes së 10 përqindëshit

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19 është dekretuar nga Zyra e Presidencës.

Përmes një njoftimi, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-për qindëshit.

“Aplikimi për tërheqje të 10% do të bëhet vetëm ONLINE dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në eTrusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes 10% dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Sipas Trustit, janë katër muaj në dispozicion për aplikim. “Për aplikim janë në dispozicion 4 muaj. Prandaj, mos u brengosni nëse nuk mund të aplikoni që në ditët e para pas dekretimit”, përfundon njoftimi.

Gjenden pesë varreza në Kizhevak të Serbisë

Më 4 dhjetor, në Kizhevak të Serbisë kanë vazhduar gërmimet për mbetjet mortore të personave që dyshohet të jenë të personave që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka thënë se deri më tani kanë zbuluar pesë varreza. “Deri më tani janë zbuluar pesë varreza. Jemi duke gjetur mbetje mortore dhe do të punojmë deri sa të na lejojnë kushtet atmosferike”, tha ai.

Ndërkaq, Kryetari i delegacionit të Kosovës theksoi se bazuar në deklaratat e udhëheqësve të Serbisë, dyshohet se ka edhe varreza tjera masive brenda territorit të Kosovës.

“Vetë ekzistenca e kësaj varreze masive këtu dëshmon për planifikimet nga ana e kreut të atëhershëm shtetëror në planifikimet e vrasjeve dhe zhdukjeve të njerëzve me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit. Sikurse u tha, angazhimet nuk do të ndalohen deri në zbardhjen përfundimtare të fatit të të gjithë personave të zhdukur. Ne dyshojmë po ashtu në mbështetje të deklaratave të politikanëve në Serbi, që ekzistojnë edhe disa varreza masive brenda territorit të Serbisë, të cilat dyshohet se mund të ketë trupa të civilëve të vrarë, dhe të mbartur brenda këtij territori”, deklaroi ai. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version