Jashari ka thënë ka thënë se Gjykata Speciale është dashur të merret me hetimin e rrjedhjes së informacioneve dhe publikimit të dosjeve.
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, pas vendimit të së mërkurës së 18 majit të Gjykatës Speciale, ka thënë se Gjykata është dashur të merret me hetimet se si kanë rrjedhur informacionet dhe publikimi i dosjeve.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, ka thënë se pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Speciale, ne vazhdojmë të mos e njohim si Gjykatë.
“Nuk ka pas publikim të dosjeve, nuk ka pas emra të njerëzve, Gjykata Speciale është dashur të merret si kanë rrjedhur informacionet, Gjykata Speciale është ajo që me një qëllim i ka sjellë ato në Organizatën e Veteranëve të Luftës, prandaj është faktuar që ka pasur rrjedhje të informacioneve”, ka thënë Jashari.
Ai ndër të tjera ka thënë se dihet se qëllimi i kësaj Gjykate është politik pasi publikisht kanë dalur prokurorët serbë që së bashku me Gjykatën Speciale i kanë bërë kto aktakuza.
“Madje edhe publikisht kanë dalur prokurorët serbë që kanë thënë së bashku me Gjykatën Speciale i kemi bërë kto aktakuza, e për këtë institucionet nuk duhet të rrinë duarkryq dhe të reagojnë për këtë vendim”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ai ka ftuar institucionet e Kosovës të reflektojnë për këtë vendim të marrë sot nga Gjykata Speciale dhe të mos i injorojnë organizatat e dala nga lufta.
“Kanë qenë 82 deputetët e Kosovës që e votuan dhe e themeluan vetë Gjykatën Speciale, prandaj ata duhet të mos rrinë duarkryq dhe të veprojnë për vendimin e shpallur sot”, ka shtuar ai.
Ndryshe, të mërkurën e 18 majit, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, edhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim./Portali D/