Site icon Telegrafi

Jashari reagon pas kritikave ndaj mbylljes së institucioneve paralele, citon Gjergj Fishtën

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari gjatë intervistës në “Përballje” /Foto: Ridvan Slivova

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka kritikuar ashpër ata që kundërshtuan aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit.

Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Jashari ka përgëzuar veprimin e Policisë, duke e cilësuar atë si të drejtë dhe të nevojshëm për të luftuar ndikimin serb në Kosovë.

Ai ka cituar Gjergj Fishtën për të ilustruar situatën aktuale, duke thënë:

“Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashkë dy shqiptarë.”

Jashari ka shprehur zhgënjimin e tij për reagimet kundërshtuese ndaj aksionit, duke theksuar se pas 25 vitesh nga çlirimi dhe 17 vitesh si shtet, ende ka zëra që e quajnë këtë veprim si “dhunë, presion apo fashizëm”.

Lexo po ashtu Kosova jep tri sqarime për mbylljen e strukturave paralele

Në postimin e tij, Jashari ka ngritur pyetjen:

“Deri kur kështu? Kush jemi dhe kush paskemi qenë ne, shqiptarët?”

Ai ka shprehur respekt dhe mirënjohje për Policinë e Kosovës dhe ka nderuar dëshmorët e UÇK-së, duke përfunduar me një mesazh të qartë për mbështetjen e institucioneve shtetërore.

“Respekt e mirënjohje për Policinë e Kosovës! Lavdi dëshmorëve të UÇK-së!” – përfundon postimi i tij./Telegrafi/

Exit mobile version