Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë se obligimi i qytetarëve që të paguajnë për energjinë elektrike të pashpenzuar ka qenë ndër vendimet më të rënda që është marrë nga institucionet publike.
Jashari, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se në rastin e faturimit e shpenzimeve të energjisë së humbur elektrike në faturat e qytetarëve janë bërë shkelje në katër pesë ligje duke u dëmtuar qytetarët e vendit.
“Duhet të ketë një gjyqësor për të marrë vendime të guximshme dhe kjo situatë është njëra nga to, ngase ligjërisht është e padiskutueshme ngase kanë ndodhur shkelje të pesë ligjeve kur është marrë ky vendim i padrejtë [që qytetarët të paguajnë energjinë e humbur elektrike]”.
Avokati i Popullit thotë se në bazë të një vendimi qeveritar qytetarët tashmë nuk do të paguajnë për energjinë e humbur elektrike por është e rëndësishme që tashme rasti është në gjykata.
Ai thotë se Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar që mjetet e paguara nga qytetarët për energjinë e humbur elektrike t’u kthehen atyre në ndonjë formë.
“Në anën tjetër është e padiskutueshme që ka qenë një veprim i paligjshëm dhe një pasurim i pabazë për kompaninë në fjalë ku është dëmtuar qytetari i vendit dhe atë në mënyrë masive”.
Jashari thotë se një vendim i shpejt nga ana e institucioneve të drejtësisë për këtë rast do të kthente besimin e qytetarëve në shtet.
“Rasti është ende në hetim. Ne kemi nisur këtë hetim nga një raportim i mediave…Nëse gjyqësori do të ishte efektiv rasti tashmë do të ishte i zgjidhur”, tha ndër të tjera Hilmi Jashari./Telegrafi/