Site icon Telegrafi

Jasharaj: Orët me zor nuk i mbajmë, zëvendësim të mësimit nuk do të ketë (Video)

Rrahman Jasharaj

Në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, është diskutuar për orët e humbura të mësimit gjatë grevës së organizuar nga SBAShK dhe për mënyrat e mundshme se si do të zëvendësoheshin ato.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se gjatë grevës kanë treguar se zëvendësim të orëve të humbura mësimore nuk do të ketë.

Ai ka thënë se nuk do të kishte kuptim mbajtja e grevave e më pas të kompensoheshin ditët e humbura të punës, pasi sipas tij edhe Ligji i grevave nuk parashikon një gjë të tillë.

Jasharaj ka thënë se Ministria e Arsimit ka gënjyer se gjykata ka vendosur të hedh poshtë padinë e SBASHK-ut.

“Është pezulluar kërkesa që të mos jetë në fuqi kërkesa e ministrit, por të vendoset në gjykatë. Ashtu si do të vendos gjykata ne do të pranojnë. Pra gjykata ka pranuar padinë tonë dhe pritet të procedohet tutje”.

Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se të gjithë ministrat tjerë të arsimit kanë ftuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në takimet e përbashkëta me DKA-të, ndërsa ministri Bytyqi në tri mbledhje të mbajtura me drejtorët komunalë nuk i ka ftuar ata në takim.

“Pse të mos jemi ne në takimet e MASHT-it me DKA-të? Pa ardhur Bytyqi, asnjë mbledhje me DKA-të nuk është mbajtur pa neve”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Jasharaj ka thënë se ka presione të mëdha ndaj mësimdhënësve madje edhe ndaj nxënësve për të dalë të shtunën në mësim.

“Del drejtori i Gjakovës dhe u thotë arsimtarëve: ‘Gjykata e hodhi poshtë ankesën e SBASHK-ut, dilni të shtunën në mësim’! Apo një arsimtar i një partie u thotë nxënësve: ‘Nëse nuk dilni në mësim të shtunën nuk do të shkoni në ekskursion’. Ku bën bre kështu? Ne orët me zor nuk i mbajmë”.

“Ka ende shkolla që punojnë me shkumësa dhe shpuza. Greva do të ketë përsëri”, tha Jasharaj./Telegrafi/

Exit mobile version