Telegrafi

A janë këto “shenja” që tregojnë se kundërofensiva e Ukrainës ka filluar?

Forcat ukrainase po “kalojnë në veprime sulmuese” në disa zona, ka thënë zëvendësministrja e Mbrojtjes e vendit, Hanna Malyar.

Ndërkohë burime ushtarake ukrainase i thanë BBC-së se një seri operacionesh ofensive të blinduara në shkallë të vogël janë duke u zhvilluar, përcjell Telegrafi.

Por ata nuk kanë thënë nëse ky ishte fillimi i kundërsulmimit të shumëpritur të Ukrainës në shkallë të gjerë.

Më herët, ministria ruse e mbrojtjes tha se pengoi një sulm të madh ukrainas në Donetsk.

Siç shkruan më tej BBC, zonja Malyar e përshkroi qytetin lindor të Bakhmut si “epiqendrën e armiqësive” dhe pretendoi se forcat ruse ishin në mbrojtje atje, si dhe në jug.

Ndërsa komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Gjenerali Oleksandr Syrskyi, tha se trupat po “lëviznin përpara” drejt Bakhmutit dhe kishin shkatërruar një pozicion rus pranë qytetit.

Për muaj të tërë, qyteti ka qenë në qendër të luftimeve intensive midis forcave ukrainase dhe ruse.

Grupi paraushtarak rus Wagner kishte pretenduar se kishte pushtuar qytetin. Por në javët e fundit, disa analistë kanë sugjeruar se forcat e Kievit po përpiqen të rrethojnë Bakhmutin dhe të bllokojnë njësitë ruse.

Një kundërofensivë e madhe ukrainase është pritur gjatë, por Kievi tashmë ka thënë se nuk do të paralajmëronte paraprakisht për fillimin e saj.

Megjithatë, Ukraina që pretendon se ka bërë përfitime margjinale diku tjetër në vijën e frontit, ka pasur një rritje të dukshme në aktivitetin ushtarak.

Prandaj, raportet e fundit po shihen si një shenjë e re se shtytja e pritshme e Ukrainës mund të ketë filluar.

Dhe kjo mund të supozohet edhe nga deklaratat nga Ministria ruse e mbrojtjes që tha se Ukraina kishte nisur gjithashtu “ofensivë në shkallë të gjerë” në rajonin e Donetsk të dielën duke përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy batalione tankesh. /Telegrafi/