Të shtunën kombëtarja shqiptare do të fillojë pjesëmarrjen e saj për herë të parë në Kampionatin Evropian. Gazeta zvicerane NZZ ka filluar një seri shkrimesh me disa futbollistë të kombëtares sonë, të cilët janë rritur në Zvicër. Të hënën ka botuar një shkrim me mbrojtësin e kombëtares, Naser Aliji.
Sa herë që e ka pyetur mësuesi se çfarë do të bëhesh në të ardhmen, Naser Aliji ka pasur vetëm një përgjigje: “Futbollist, profesionist?”, ka thënë ai. Nganjëherë kur e kanë pyetur se çfarë do të bëje sikur nuk do të arrije këtë profesion, ai thoshte. “Nuk e di, unë di vetëm të luaj”, transmeton albinfo.ch.
Më futbollin janë të lidhura kujtimet e tij që nga kopshti i fëmijëve. Të dyja këto datojnë që në moshën e tij 4 vjeçare në kohën e mbërritjes në Zvicër. Babai i tij punonte në Zvicër, në kohën kur ai së bashku me nënën, vëllain dhjetëvjeçar dhe motrën tetëvjeçare u shpërngulën në Baden të Aargaut. Ai u regjistrua menjëherë në FC Baden. Ata ishin larguar nga vendlindja, Kumanova e Maqedonisë, e cila gjendet në afërsi të Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë. Të afërmit e familjes së Alijit jetojnë ende atje, por ata janë me rrënjë shqiptare.
“Unë kam tri pasaporta: maqedonase, shqiptare dhe zvicerane. Edhe kombëtarja e Maqedonisë më ka kërkuar mua, por me të nuk mund ta identifikoja veten. Sa më kërkoi kombëtarja shqiptare, kam vendosur shpejt. Ndihem më shumë se shqiptar, sidomos tani që luaj me ekipin kombëtar, të cilin e kisha ndjekur gjithmonë, me të gjithë familjen, në TV”.
Aliji tregon edhe për Zvicrën dhe shpreh të gjithë respektin për këtë vend.
“Kur kemi arritur në finalet e Kampionatit Evropian, vendlindja e prindërve të mi ka organizuar një festë për mua. E gjithë familja dhe rreth 400 njerëz u mblodhën në një sallë. Kjo më preku. Kemi folur drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, sepse këto veti i kemi nga kultura shqiptare. Por, unë mendoj si një zviceran. Disiplina është një vlerë që e kam mësuar aty dhe e vlerësoj. Edhe pse çdo vit, bashkë me të afërmit bëj vizita në Maqedoni, të paktën një herë, kam shkuar edhe në shumë vende të tjera, në fund të fundit jam i kënaqur që kthehem në Zvicër. Organizimi, përpikëria, është vendi më i mirë për të jetuar. Nuk mund ta përshkruaj se sa mirë ndjehem në këtë vend”, ka thënë ai.