Telegrafi

Jablanoviq: Sulmet ndaj gazetarëve, vepër vandalësh dhe individësh të tërbuar

Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, ka reaguar pas sulmeve fizike ndaj gazetarëve sot në Leposaviq.

Jablanoviq, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se sulmet ndaj gazetarëve janë vepër vandalësh dhe individësh të tërbuar.

“Sulmet ndaj gazetarëve që e bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale janë vepër vandalësh dhe individësh të tërbuar, si të tilla meritojnë dënim të plotë. Këto sulme nuk janë pasqyrë e disponimit të serbëve ndaj gazetarëve dhe nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të serbëve”, ka shkruar Jablanoviq, raporton Telegrafi.

Policia ka konfirmuar të premten se nëntë gazetarë të mediave të Kosovës janë sulmuar nga grupe kriminale gjatë ditës në Leposaviq, të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke raportuar për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Lexo po ashtu Policia: Nëntë gazetarë janë sulmuar në Leposaviq, disa kanë marrë tretman mjekësor

Sipas policisë, disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Duke i cilësuar si akte të tmerrshme dhune, sulmet ndaj gazetarëve e kanë dënuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, si dhe ambasadori I SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. /Telegrafi/