Bashkimi Evropian ka sugjeruar se do të ngrihen akuza për krime lufte kundër ushtarëve rusë që supozohet se janë filmuar duke i prerë kokën një të burgosuri ukrainas, nëse verifikohen pamjet e incidentit.
Bëhet fjalë për një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale në të cilën duket se shfaqet një ushtar duke mbajtur një thikë dhe duke i prerë kokën një burri që thuhet se është një i burgosur lufte ukrainas, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Nabila Massrali tha: “Nëse konfirmohet, është një kujtesë tjetër brutale për natyrën çnjerëzore të agresionit rus”.
Vrasja e robërve të luftës është “një shkelje shumë e rëndë e Konventës së Gjenevës”, tha ajo.
“BE përsërit angazhimin e saj të vendosur për të mbajtur para përgjegjësisë të gjithë autorët dhe bashkëpunëtorët e krimeve të luftës”.
Ndryshe një reagim kishte ardhur edhe nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i cili denoncoi të mërkurën “bishat” ruse pasi një video u shfaq në mediat sociale që pretendonte se tregonte prerjen e kokës së një të burgosuri lufte ukrainas.
“Ka diçka që askush në botë nuk mund ta injorojë: sa lehtë vrasin këto bisha… ne nuk do të harrojmë asgjë, as nuk do të falim vrasësit”, citohet të ketë thënë Zelensky në një mesazh në mediat sociale, duke u zotuar se do të sjellë drejtësi. /Telegrafi/