Site icon Telegrafi

BE-ja do të vendosë tarifa deri në 50 për qind për importet e grurit nga Rusia

BE-ja do të vendosë një tarifë deri në 50 për qind për importet e grurit nga Rusia, mes frikës se Kremlini mund të “vërshojë” bllokun me grurë të lirë për të destabilizuar tregun evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar tarifimin e drithërave ruse importimi i të cilave shihet si kërcënim për destabilizimin e bllokut.

“Ne propozojmë vendosjen e tarifave për importet ruse në mënyrë që të zbusim rrezikun në rritje për tregjet dhe fermerët tanë. Kjo do të zvogëlojë kapacitetin e Rusisë për të shfrytëzuar BE-në”, tha von der Leyen.

Ky hap nga Komisioni Evropian pason nga lutja drejtuar liderëve të BE-së e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të ndërmarrë diçka në lidhje me grurin “e vjedhur” nga rusët, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

“Kur gruri ukrainas hidhet në rrugë, produktet ruse janë ende duke u transportuar në Evropë. Kjo nuk është e drejtë”, tha presidenti ukrainas.

Bëhet e ditur se eksportet ruse të grurit në BE janë rritur nga 960 mijë ton në vitin 2022, në 1.5 milion ton në vitin 2023. Deri më tash, ato kanë pasur tarifa të ulëta ose aspak doganore kur kanë hyrë në BE, por propozimi do të vendosë një tarifë prej 95 euro për çdo ton grurë.

Ndryshe, propozimi i Komisionit Evropian pritet të miratohet përfundimisht nga Këshilli Evropian i shteteve anëtare, dhe mund të vuloset brenda ditëve ose javëve të ardhshme. /Telegrafi/

Exit mobile version