Telegrafi

BE-ja do të vendos embargo për importin e naftës nga Rusia

Bashkimi Evropian po përgatit pakon e re të sanksioneve kundër importeve ruse.

Sipas zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis kjo pako përfshinë një formë të një embargoje të importit të naftës nga Rusia.

“Jemi duke punuar për një paketë të gjashtë sanksionesh dhe një nga çështjet që po shqyrtojmë është një formë embargoje nafte. Kur vendosim sanksione, ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë që të maksimizojë presionin ndaj Rusisë duke minimizuar dëmin kolateral ndaj vetes”, tha Dombrovskis.

Ai shtoi se sanksionet do të përfshijnë një heqje graduale të naftës ruse ose vendosjen e tarifave mbi eksportet përtej një kufiri të caktuar çmimi.

Rusia është një nga furnizuesit më kryesor të naftës në Evropë, duke siguruar 26 për qind të importeve evropiane.

Ukraina dhe disa shtete të BE-së, përfshirë Poloninë dhe Lituaninë, duan një ndalim të naftës dhe gazit rus, ndërsa Gjermania dhe Hungaria janë kundër një embargoje të menjëhershme të naftës.

Nafta dhe nënproduktet e saj përbënin më shumë se një të tretën e të ardhurave të Moskës nga eksporti vitin e kaluar. Aktualisht, Evropa shpenzon rreth 450 milionë dollarë në ditë për naftën e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara, rreth 400 milionë dollarë në ditë për gazin dhe afërsisht 25 milionë dollarë për qymyrin. /Telegrafi/