Site icon Telegrafi

BE-ja nuk ia jep 1 miliard euro Hungarisë – shkaku i dyshimeve për korrupsion

Hungarisë i janë mohuar zyrtarisht fondet e Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 miliard eurosh për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Ky vendim, i konfirmuar nga një deklaratë e BE-së më 31 dhjetor, shënon herën e parë që blloku evropian merr një masë të tillë ndaj një shteti anëtar.

Ashtu siç pritej, qeveria e Hungarisë nuk ka komentuar ende këtë vendim. Këto fonde bëjnë pjesë në një paketë prej 19.7 miliardë eurosh që janë ngrirë që nga viti 2022, kur Brukseli nisi procedura të “kushtëzimit” kundër Hungarisë për shkelje të mundshme të rregullave të prokurimit publik dhe parimeve të kontrollit dhe transparencës, shkruan euronews.

Megjithatë, pas disa reformash të ndërmarra nga Budapesti për të plotësuar kërkesat e BE-së, afati për lëshimin e fondeve të reja ka skaduar më 31 dhjetor, duke rezultuar në humbjen e 1.04 miliardë eurove.

Në një raport të Komisionit Evropian të publikuar në muajin korrik, Hungaria nuk arriti të përmbushë standardet demokratike të BE-së, veçanërisht në fushat e financimit politik, konfliktit të interesit dhe pavarësisë së mediave.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka premtuar se do të luftojë për të mbrojtur interesat financiare të vendit. Ai ka deklaruar më parë se ata që po përpiqen të marrë para nga hungarezët po veprojnë në mënyra të ndryshme për të realizuar këtë. Ekonomia e Hungarisë është aktualisht përballur me vështirësi të mëdha, duke shtuar presionin ndaj Orbanit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2026. /Telegrafi/

Exit mobile version