Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të mërkurën se mund të ketë një zgjatje të periudhës së bisedimeve të Brexitit vetëm nëse kjo arsyetohet përmes objektivave të qarta nga ana e Britanisë.
“Ne do të mbështesim një kërkesë për zgjatje të bisedimeve vetëm nëse ajo është e arsyetuar nga ana e britanikëve”, tha Macron në një konferencë të përbashkët të mediave të mbajtur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Megjithatë, ai tha se “në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë një zgjatje pa një objektiv të qartë”.
Në ndërkohë presidenca rumune e Bashkimit Evropian ka thënë se është gati të përgjigjet ndaj çdo kërkese të Britanisë së Madhe për një zgjatje të bisedimeve për Brexit-in, përcjell rel.
“Rumania, si mbajtëse aktuale e presidencës së radhës të BE-së, ende është duke bërë plane për një Brexit të çrregullt, por është optimiste pasi kryeministrja Theresa May hapi rrugën për një shtyrje përtej datës së 29 marsit kur është planifikuar të ndodhë Brexit-i”, ka thënë ministri rumun i Çështjeve Evropiane, George Ciamba.
Mënyra e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian ende mbetet çështje e pazgjidhur pasi parlamenti britanik në janar hodhi poshtë marrëveshjen e Britanisë me Bashkimin Evropian.
Kryeministrja Theresa May po insiston të vendet e BE-së për rishikim të marrëveshjes në mënyrë që të marrë mbështetjen e parlamentit për një Brexit të dakorduar.
Mirëpo udhëheqësit e BE-së deri më tani kanë kundërshtuar rinegociimin e marrëveshjes.