Telegrafi

BE-ja konfirmon se dialogu Kosovë-Serbi është duke vazhduar në nivel ekspertësh

Foto: Ilustrim

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila po ushtron edhe detyrën e Presidentes së vendit, ditë më parë në një takim që ka pasur me kryeministrin e vendit, Avdullah Hoti ka thënë se vet kryeministri ia ka konfirmuar se nuk është planifikuar ndonjë takim me palën serbe sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) thonë se dialogu është duke vazhduar.

Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi është duke vazhduar në nivel ekspertësh.

Ai theksoi se kur të jetë nevoja takimi do të mbahet edhe në nivelin më të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti si dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq.

“Puna për dialogun vazhdon. Pjesa kryesore është duke u kryer në nivel ekspertësh, e ndjekur kurdoherë që është e nevojshme nga niveli i lartë ku akterët kryesorë për të dy palët janë presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti”, ka thënë ai.

Zëdhënësi Stano po ashtu theksoi se ata do ta shpallin takimin e ardhshëm kur të jetë e përshtatshme.

“Ne do të shpallim takimin e ardhshëm kur të jetë e përshtatshme”, tha ndër të tjera, Stano.

Ndryshe, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar që i gjithë spektri politik i Kosovës duhet të unifikohet përballë Gjykatës Speciae dhe se dialogu Kosovë-Serbi duhet të pezullohet. Njëjtë është deklaruar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila po ushtron edhe detyrën e Presidentes së vendit se nuk është kohë e favorshme që të vazhdohen këto takime. /Telegrafi/