Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar një datë për takimin e ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndonëse ditë më parë u raportua se pengesë në caktimin e këtij takimi janë deklaratat publike të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, nga BE-ja nuk kanë komentuar një gjë të tillë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i ka thënë Telegrafit se do të njoftojnë për takim kurdo që ai të caktohet.
“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut nëse dhe kur është e përshtatshme”, ka deklaruar Stano përmes një përgjigje me shkrim.
Lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe gjashtë pikave të propozuara nga kryeministri Kurti, nga BE-ja kanë thënë se i kanë marrë parasysh komentet e Kurtit.
“Kemi marrë parasysh komentet e kryeministrit Kurti në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt. Forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit, si dhe çdo propozim që mund të kenë të dy palët, është në kuadër të dialogut. BE-ja është e gatshme të lehtësojë diskutimet mbi Asociacionin në takimet e ardhshme të dialogut”, tha Stano.
Kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë tha se do të shkojë në Bruksel kur Prishtina ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kjo deklaratë erdhi pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti, ka treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive e të zbatohet pas marrëveshjes finale.
Gjashtë pikat e propozuara nga Kurti për themelimin e Asociacionit:
E para: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
E dyta: Asociacioni nuk mund të jetë mono etnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimi horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje, kreu 5
E treta: Të drejtat e pakicave kombëtare, dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane
E katërta: Paravendosjes se Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjithë armëve ilegale.
E pesta: Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi ti ketë pranuar parimet e kartës së OKB në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës dhe
E gjashta: Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara të pesë shtete anëtare të BE dhe tek të tjerat për mos pranimin e aplikimin të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2019. /Telegrafi/